Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për ish-kryebashkiakun e Himarës Fredi Beleri. Ky i fundit do të vuajë 2 vite heqje lirie për “korrupsion në zgjedhje”, ndërsa për bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi është marrë vendimi i 4 vite shërbim prove, për shkak të problemeve të tij shëndetësore.
Kujtojmë se Beleri u vu në pranga më 12 Maj 2023, dy ditë para zgjedhjeve lokale në vend. Sipas SPAK, arrestimi i tij erdhi pas një denoncimi në Prokurori ku pretendohej se Beleri ofronte 40 mijë Lekë për të blerë 8 vota.
Edhe pse arriti të sigurojë votat për t’u zgjedhur në krye të bashkisë së Himarës, ai nuk bëri dot betimin. Megjithatë vlen për t’u theksuar se në fillim të këtij muaji Beleri u zgjodh si përfaqësues i Greqisë në Parlamentin Europian për qeverisëse të Demokracisë së Re.
Ambasadorja greke në vendin tonë deklaroi para SPAK se “për fat të keq ngrihen pikëpyetje për paraburgimin e zgjatur të zotit Beleri”.