Një ngjarje e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin rrugot kombetar ”Durrës-Tiranë”, ku dy persona, pasi kishin vjedhur një automjet dhe e kishin përdorur për një grabitje me dhunë në një karburant në Sukth, janë përfshirë në një përplasje të armatosur me Policinë.
Ngjarja nisi rreth orës 01:00 të mëngjesit, kur shërbimet e Policisë konstatuan një automjet të vjedhur më 20 gusht në zonën e Sektor Rinisë, Durrës. Automjeti ishte përdorur më pas në një grabitje të ndodhur më 21 gusht, në orën 03:40, në një karburant në Sukth, ku, sipas dëshmisë së një punonjësi, “ishte marrë me dhunë shuma e lekëve të xhiros”.
“Shërbimet e Policisë së Durrësit u vunë në ndjekje të automjetit, i cili po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Tiranës, dhe u njoftua edhe DVP Tiranë për ndihmë. Si pasojë e shpejtësisë së madhe, pa shkuar në Vorë, tek rrethrrotullimi i mbikalimit në rrugën dytësore që shkon për Shijak, automjeti doli nga rruga dhe, gjatë kësaj kohe, nga brenda tij u hap zjarr ndaj punonjësve të Policisë, të cilët, të gjendur përballë kësaj situate, u përgjigjën me zjarr, në kushtet e mbrojtjes së nevojshme. Si pasojë, u plagos njëri nga autorët, shtetasi A. D., 28 vjeç, banues në Bilalas, Shijak, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.”, bëjnë me dije uniformat blu.
Ndërkohë, personi i dytë, L. Ç., 27 vjeç, po ashtu banues në Bilalas, pas një përballjeje të armatosur me Policinë, u neutralizua dhe u arrestua. Gjatë kontrollit në vendngjarje, Policia sekuestroi një armë zjarri tip kallashnikov dhe dy krehra me fishekë.




