Në një kohë kur bota reflekton mbi rëndësinë e ruajtjes së natyrës, lumi ‘Drino’ si dega kryesore e lumit ‘Vjosa’ shpallur pasuri natyrore botërore, jep një pamje të dhimbshme: mbeturina, ujëra të zeza dhe mungesë ndërhyrjeje institucionale.
Dikur burim i rëndësishëm për bujqësinë dhe jetesën e banorëve, sot lumi është kthyer në një kanal ndotjeje apo dhe depozitë për mbetjet inerte apo ç’dolloj mbetjeje tjetër.
Veçanërisht në zonën pranë urës e cila vizitohet çdo ditë nga turistë të shumtë, që udhëtojnë drejt fshatrave historikë, situata paraqitet alarmante.
Janë tetë pika të shkarkimit të ujërave të zeza që po derdhin përditë mbetjet e tyre të lëngshme në shtratin e ‘Drinos’.
Konkretisht janë pikat e shkarkimit nga zona e ish SMT-së deri në zonën e Gërhotit me një gjatësi gati 3 km, ku bashkia e Gjirokastrës nuk ka një strategji konkrete për evitimin e vazhdueshëm të ndotjes së ujërave të ‘Drinos’.
Një specialist mjedisi në këtë institucion shprehet, se nevojiten impiante për trajtimin e ujërave të ndotura, si e vetmja zgjidhje e përshtatshme, por që i tillë investim kërkon miliona euro.
Kryeinspektori i mjedisit, Arlind Gozhita, te vetmen pune qe ben eshte marrja e rroges dhe xhirot ne Gjirokaster, kjo pasi Kumbaros te tille ‘peligrinë’ partie do, sidomos keta te LSI-së.
Ajo çka është dhe më kritike, rezulton se ujërat e ndotura të ‘Drinos’ përfundojnë në Vjosë, në një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë, me rëndësi jetike për biodiversitetin dhe të ardhmen ekologjike të rajonit.
Qytetarët e thjeshtë ndërkaq kanë përcjellë ndjeshmërinë e tyre për këtë situatë të krijuar.
Përveç gjithë kësaj, është i nevojshëm ndërgjegjësimi qytetar, si dhe bashkëpunimi me policinë vendore dhe zyrat e urbanistikës për evidentimin e një situate të tillë.
Tashmë që ka ardhur stina e nxehtë, ku ndotja e ‘Drinos’ dhe era kundërmuese po shkaktojnë probleme serioze jo vetëm për banorët, por edhe tursitët që vendosin të vizitojnë qytetin turistik të UNESCO-s.



