Disa orë më parë ne rrjet u publikua me pamje denoncimi i një qytetari që ndodhej në pikën kufitare të Qafë Thanës, i cili ankohej se punonjësit e Policisë kalonin makina jashtë radhe, ndërkohë që qytetarët e tjerë prisnin në trafik.
Për këtë ngjarje ka ardhur një reagim nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Korçë. Bëhet e ditur se pas publikimit të pamjeve, është bërë pezullimi i inspektorit me inicialet R. S., i cili në video shfaqet duke takuar një qytetar, dhe menjëherë pas tij i bën me shenjë një shoferi që të futet jashtë radhe mes autobusëve.
“E katërta makinë është, ne kemi dy orë këtu. Turp policia!” thotë qytetari në video.
Gjithashtu bëhet e ditur se ndaj inspektorit në fjalë “ka nisur ndaj punonjësit të Policisë hetim disiplinor, në zbatim të nenit 121 të ligjit nr. 82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, pika 1, germa “m”, “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi”.




