VIDEO/Nami në Përmet në “Festivalin e Gjysheve”, njësitë akomoduese të prenotuara 100%

Jugulajm.net
3 Min Read

Festivali “Nona” apo siç e quajnë ndryshe “Festa e Gjysheve”, ka mbledhur në Përmet, dhjetëra gjyshe nga e gjithë Shqipëria të cilat kanë shpalosur vlerat e tyre kulturore, familjare e tradicionale përfshirë edhe armën më të fortë siç është kulinaria.

Mbrëmjen e djeshme ka qenë nata e dytë e këtij festivali ku për herë të parë ka marrë pjesë gjyshe nga Kosova dhe disa gjyshe nga Vlora. Ajo çka ka rënë në sy ka qenë numër rekord vizitorëve vendas apo të huaj dhe ku sipas statistikave nga Bashkia Përmet, në tre ditët e fundit, të gjitha njësitë akomoduese në qytet dhe jashtë tij, kanë qenë të prenotuara.

Sipas të dhënave nga organizatorët apo dhe Zyra e Turizmit në Përmet, në ditët e “Festivalit të Gjysheve”, Përmeti është populluar nga mbi 20 mijë turistë. Shifër rekord çka përkthehet me shtimin e të ardhurave në këtë qytet të bukur buzë Vjosës.

Atmosfera siç duket edhe nga pamjet, ka qenë e jashtëzakonshme. Rrugët dhe qendra e qytetit ka qenë e mbushur plot e përplot me turistë aq sa duhej të rezervoje orë më parë një tryezë për të shijuar një kafe, apo ndonjë gatim tradicional në pjesën më të dukshme të qytetit. Ndërsa gjyshet e gjithë Shqipërisë, kanë shpalosur atë që dinë më mirë-traditën e kulinarisë dhe produkteve artizanale.

Organizatorët e “Festës së Gjysheve”, shprehen se qëllimi i këtij aktiviteti tre ditor, veç të tjerave, ishte rigjallërimi i zonave të tjera të Shqipërisë veç Tiranës që është metropoli i vendit.

Sipas organizatorit të këtij eventi Bledi Mane, ky aktivitet në vetëm tre ditë, ka mbledhur mijëra turistë vendas dhe të huaj për të shijuar gatimet tradicionale të gjysheve shqiptare si dhe punimeve artizanale. Sipas Manes ky festival është unikal në llojin e vetë në Europë ndërkohë që nuk fsheh ambiciet që “NONA” të shndërrohet në festivalin e gjysheve europiane por që për të arritur këtë synim, nevojiten fonde.

Ky është dhe edicioni i 5-të i Festivalit “NONA” që organizohet përvit në Përmet.

Share This Article