Një protestë u zhvillua mëngjesin e sotëm në qytetin e Vlorës, ku dhjetëra qytetarë dhe aktivistë mjedisorë iu bashkuan thirrjes së Aleancës për Vlorën kundër dy TEC-eve lundruese të ankoruara në zonën e Triportit.
Protestuesit marshuan me pankarta dhe mesazhe kundërshtuese, duke ngritur alarmin për ndikimin e këtyre njësive në mjedis dhe ekonomi.
Sipas aktivistëve, TEC-et ndotin detin dhe ajrin e qytetit bregdetar, ndërkohë që kostot e mbajtjes së tyre janë tejet të larta për buxhetin e shtetit – deri në 3 milionë euro në muaj – për një përdorim të kufizuar prej vetëm 2 deri në 3 orë në javë.
Ambientalisti i njohur Lavdosh Ferruni, i pranishëm në protestë, i cilësoi TEC-et si “një aferë e rrezikshme dhe e pajustifikueshme”, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të kësaj praktike dhe një rishikim të politikave energjetike në përputhje me interesin publik dhe mbrojtjen e mjedisit.




