Gjirokastra fundjavave shndërrohet në qytetin më të vizituar në jug të vendit. Volumi i turistëve të huaj po njeh rekorde të reja. Më së shumti janë ofertat që kanë gjeneruar përmes rrjeteve sociale nga kompani të ndryshme turistike ato që mbledhin turistë të shumtë kryesisht perëndimor në qytetin e gurtë. Nuk ka fundjavë që në Gjirokastër, të mos mbahet event muzikor që tërheq me mijëra vizitorë. Emra të njohur të muzikës shqiptare, por dhe greke, afrohen në Gjirokastër për të performuar dhe dhënë shfaqje për qindra mijëra vizitorë vendas e të huaj.
Ajo çka bie në sy ditët e fundit, është prezenca e mjaft turistëve nga Holanda të cilët vijnë për herë të parë në qytetin e gurtë duke zbuluar kështu një vend që përket tërësisht me ofertën që është reklamuar në rrjetet sociale.
Nëse do të flisnim me gjuhën e shifrave, vetëm javën e fundit turistët holandezë kanë thyer rekordin e vizitueshmërisë në qytet. Turistët holandezë më së shumti vijnë për herë të parë dhe ajo që i ka nxitur të vijnë, janë veçantia e këtij qyteti pjesë e UNESKO dhe volumi i aktiviteteve fundjavës. Bazuar në të dhënat zyrtare, këtë vit Gjirokastra ka njohur boom vizitorësh.
Vetëm në muajin korrik qytetin e kanë vizituar 50 mijë turistë prej të cilëve më shumë se 90% të huaj. Ndërsa vetëm në 6 mujorin e parë të këtij viti, qytetin e kanë vizituar 120 mijë turistë çka është më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Këtë vit në gamën e turistëve të huaj, janë shtuar mjaft turistët nga Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, Holanda, Franca dhe Italia. Ndërsa në këtë numër, nuk janë përllogaritur turistët vendas që më së shumti vijnë në fundjavë dhe akomodohen në hotelet e qytetit, vizitorë kryeqytetas, durrsakë e shkodranë. Në bazë të statistikave qeveritare, objekti më i vizituar në Shqipëri ngelet kalaja e Gjirokastrës me një volum prej 100 mijë vizitorësh në 6 muajt e parë të këtij viti.



