Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ka shpallur fajtor Florian Taçin, ish-drejtorin e Kadastrës së Gjirokastrës nga 6 vite burg në katër, për dy vepra penale, atë të mashtrimit dhe falsifikimit.
Kryesuesja e seancës gjyqësore, Valdete Hoxha, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit për dënimin e zyrtarit socialist, Florian Taçit, duke ndryshuar vetëm masën e dënimit, që kishte dhënë kohë më parë Gjykata e Faktit në Gjirokastër, e cila i kishte akorduar 6 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar, pasi Taçi pranoi që kishte konsumuar veprat penale dhe shkaktuar në dëm të qytetarëve dhe shtetit, me katër vite burg.
Duke parë se Taçi pati kërkuar gjykim të shkurtuar, ai i bie që të vuajë në burg dënimin 2.8 vjet. Prej kësaj zbritet dhe koha e vuajtur në shtëpi të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Gjirokastrës, ku i mbetet më shumë se 1 vit e gjysmë, që do të të vuajë në një burg të sigurisë së zakonshme.
Pritet nga momenti në moment urdhër-ekzekutimi nga prokurori i çështjes, që Florian Taçi të hyjë për herë të parë në qelinë e burgut për të vuajtur dënimin e ngelur me 1.8 vite burg, ndërsa derimë tani ka vuajtur dënimin e “Arrestit në banesë”.
Ndërkohe u la në fuqi dënimi për bashkëpunëtorin e tij të ngushtë në aferat e paligjshme, Alban Memisha, me 4 vite burg, por që do të vuajë 2.5 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndërsa lihet i lirë nga akuzat, Julian Nakuçi, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër kishte dhënë vendimin për detyrim paraqitje me 8 muaj.
Florian Taçi, ish-kreu i Kadastrës në Gjirokastër dhe Alban Memisha, punonjës në këtë institucion, u arrestuan në flagrancë në një aksion blic më 28 Shkurt të vitit 2024, pasi u gjetën duke përpiluar tapi të falsifikuara në zyrën e ish zyrtarit socialist pranë Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Taçi kishte akses të plotë në serverin qëndror të Kadastrës së Shqipërisë, nga ku penetronte me dëshmitë e pronësive, duke u dhënë prona me vula dixhitale personave të tjerë.




