Nga Fejzo Subashi
Ngjarja e fundit me policin në Vlorë nuk mund dhe nuk duhet të përgjithësojë të gjithë Policinë e Shtetit. Por po aq e vërtetë është se nuk kemi të bëjmë me një rastësi, as me një shpërthim nervash të çastit. Kjo që ndodhi është shprehje e një botëkuptimi të sëmurë për rolin dhe qëllimin e të qenit polic në Shqipëri. Aty plasi zullumi. Siç thotë një shprehje popullore: “Plasi gjeli i detit nga ngrënia e tepërt e qullit”.
Deri para disa vitesh, ndaj policisë përhapeshin batuta për mediokritetin dhe paaftësinë. Sot, njerëzit nuk qeshin më, por pyesin: “Si i bënë gjithë ato pasuri?”. Sepse kemi kaluar nga tallja në revoltë. Kemi kaluar nga mosbesimi në frikë. Kemi kaluar nga absurdi në abuzim.
Këta policë – jo të gjithë, por një numër në rritje sillen ndaj qytetarëve pa asnjë ndjeshmëri apo dallim. Për ta, qytetari i rregullt që zbaton ligjin është ose një burim pengesë, kurse ata me probleme një mundësi e madhe dhe objekt i situate që sjell dy anë të medaljes. Ata zakoniaht preferojnë qytetarët e situatës së dytë. Edhe kur qytetari mund të ketë bërë një shkelje pa dashje, ose nga pakujdesia në punën e përditshme, ata nuk sillen për të edukuar apo ndihmuar, por për të goditur, frikësuar, kërcënuar. Nëse ke rënë në duart e njërit prej këtyre, është njësoj sikur të kishe kryer një vepër penale të rëndë. Për ata ka rrethana dhe situata të ndryshme kur ana e peshores së situatës rëndon nga interesi i tij jo i ligjit.
Ata nuk përpiqen të imponojnë ligjin sepse besojnë tek ajo që ata duan të jetë, qoftë edhe jo ligjore, më keq sesa vepra lriminale e qytetarit. Ata nuk ndëshkojnë për të ndërtuar një kulturë të zbatimit të rregullave. Ata nuk janë të rreptë sepse janë profesionistë. Jo. Ata sillen kështu sepse kanë një qëllim të vetëm: ta kthejnë pushtetin që u është dhënë nga ligji në një mekanizëm personal për pasurim dhe shfrytëzim. Jo për shtetin, por për kuletën e vet.
Problemi është kudo. Nga Vlora në Kukës. Në çdo qytet, në çdo bashki, gjen mostra të kësaj kategorie. Nuk sillen njësoj, por sillen sipas rastit dhe mundësisë. Dhe ajo që i bën më të rrezikshëm është se nuk janë të paaftë, janë të vetëdijshëm. Nuk gabojnë nga padija, por nga qëllimi.
Ata marrin rrogën nga buxheti i shtetit, por nuk përfaqësojnë fytyrën e shtetit. Përkundrazi, e deformojnë atë. Ata janë arsyeja pse shumë qytetarë sot nuk ndihen të mbrojtur, por të frikësuar nga prania, apo nevoja e një patrulle.
Ndaj, koha e analizave formale ka mbaruar. Reforma në polici nuk duhet të jetë fasadë. Vetting-u nuk duhet të fokusohet vetëm në pasuritë. Ai duhet të shqyrtojë me imtësi qasjen, sjelljen, etikën dhe raportin që kanë me qytetarin dhe me krimin. Sepse pasuria është produkti i një mentaliteti që e sheh qytetarin si pre dhe uniformën si biznes.
Nuk e meritojmë një polici të tillë. As qytetarët, as shteti. Dhe më së paku, nuk e meriton ideja e rendit dhe drejtësisë.




