Prokuroria kërkon burg përjetë për Arsen Muskurtin, vrau vëllain dhe kunatën

Jugulajm.net
2 Min Read

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar këtë të enjte burg përjetë për Arsen Muskurtit, i akuzuar për vrasje të dyfishtë, ngjarje e ndodhur tre vjet më parë në kryeqytet.

Më 30 Gusht të 2022, Muskurti vrau me armë zjarri vëllain e tij Dritan dhe kunatën Nora Muskurti, në ambientet e biznesit të tyre.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve asokohe, ai tregoi se krimin e rëndë e kishte kryer pasi kishte marrë një fletë-thirrje nga Gjykata Civile e Tiranës e cila do të shqyrtonte një kërkesë për urdhër-mbrojtje që kishte bërë vëllai i tij.

Ndërkohë, konfliktet mes tyre kishin nisur që prej vitit 2016 për bizneset, teksa viktima, i vëllai, i kërkonte në Gjykatë edhe kthimin e një borxhi, për të cilin Arsen Muskurti nuk pranonte se ia kishte.

“Pasi mora pistoletën tek kasaforta e biznesit tim, kam shkuar tek agjencia e Dritan Muskurtit për të sqaruar shantazhet që më bënte. Kam hyrë në agjenci dhe kam gjetur aty Dritanin dhe Norën. Menjëherë sapo kam hyrë, kam nxjerrë pistoletën dhe i jam drejtuar Dritanit:

 “Pse më shantazhon mua, fëmijët e mi, nënën dhe babën”. Ai më është përgjigjur me fjalët: “Du me e bë”.

Atëherë unë kam qëlluar me armë në drejtim të Dritanit dhe më pas nuk mbaj mend se çfarë kam bërë”, ka rrëfyer Muskurti para togave të zeza.

Share This Article