Mbrëmjen e djeshme, automjeti i gazetares Jonida Qirko, një mjet tip Mercedes Benz, i parkuar në parkingun nëntokësor në sheshin e Çerçiz Topullit në Gjirokastër, ka rënë pre e një sulmi vandal nga persona ende të paidentifikuar.
Persona ende të panjohur kanë dëmtuar rëndë xhamat anësorë të pasëm të automjetit, duke i goditur me një mjet të fortë, çka ka sjellë dëmtime të konsiderueshme materiale, përfshirë edhe gërvishtje të shumta në pjesë të tjera të mjetit. Dyshohet se sulmi ka qenë i qëllimshëm dhe i lidhur me profesionin e gazetares, e cila prej më shumë se 12 vitesh është një zë kritik në median lokale dhe kombëtare.
Policia ka nisur hetimet dhe po administron pamjet nga kamerat e sigurisë në zonë me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ky akt përbën jo vetëm një dëmtim të pronës private, por njëkohësisht një goditje të rëndë ndaj lirisë së shprehjes dhe medias së lirë.
Gazetarja Qirko është e njohur për angazhimin e saj të pandërprerë në raportimin e çështjeve sociale, kronikës së zezë dhe investigimeve me natyrë kritike ndaj pushteteve dhe figurave publike.
Në dritën e këtij rasti, kërkohet një reagim institucional, jo vetëm për ndëshkimin e autorëve, por edhe për përgjegjësinë që duhet të mbajë administrata e parkingut ku ndodhej automjeti. Si çdo qytetar tjetër, edhe gazetarja kishte paguar për një vend të sigurt dhe të monitoruar për automjetin e saj — gjë që në këtë rast duket se ka dështuar.
Rasti në fjalë kërkon jo vetëm ndriçim të plotë nga autoritetet, por edhe një mesazh të qartë: sulmet ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe drejtësia duhet të vihet në vend pa vonesë.




