Nga Avokat Arben Llangozi
Si avokat, e ndjej detyrim profesional dhe qytetar të reagoj. Kam ndjekur me vëmendje shfaqjen politike të ditëve të fundit, ku Edi Rama është kthyer në një kritik të përditshëm të një prokuroreje në Shkodër Elsa Gjeli.
Sipas tij, kjo prokurore ka lejuar një ndërtim pa leje. Një kasolle. Diku në një mal. Dhe për këtë, Kryeministri i Shqipërisë është vendosur në “alarm kombëtar”. Çështje e rëndë, padiskutim. Një kasolle që tund themelet e shtetit!
Por, unë si avokat, marr përsipër ta sfidoj publikisht Edi Ramën. Jo për të mbrojtur prokuroren, por për ta kthyer fokusin aty ku duhet të jetë në bregdetin shqiptar, ku ndërtimet pa leje nuk janë kasolle, por resorte luksi; nuk janë në mal, por mbi rërë e mbi tokë publike; nuk janë për të mbijetuar, por për të përfituar me miliona euro.
Pse nuk del Edi Rama të emërojë me emër e mbiemër prokurorët e Vlorës, që kanë mbyllur sytë ndaj shkeljeve monumentale të ligjit? Pse nuk flet për dosjet që fshihen nën tavolina, për tokat publike që janë kthyer në plaçkë, për projektet që ndërtohen mbi varret e ligjshmërisë?
Apo sepse në Vlorë nuk ka “Elsa”, por ka aleatë, ortakë, klientë, dhe e them pa dorashka oligarkë të lidhur me pushtetin?
Zoti Rama, lufta kundër ndërtimit pa leje nuk bëhet me kasolle në mal. Nuk jeni kryetar komune, jeni kryeministër. Nëse doni të ndërtoni besueshmëri te qytetarët, mos e përdorni drejtësinë për show, por përdoreni për drejtësi të vërtetë.
Unë jam gati të publikoj çdo dokument që tregon për heshtjen kriminale të prokurorëve të Vlorës. Dhe jam po aq gati ta ndjek këtë betejë deri në fund jo për të mbrojtur kasollet e varfërisë, por për të zbuluar pallatet e korrupsionit.
Zoti Kryeministër, nëse keni guxim, eja! Lëre Elsen. Dhe përballu me të vërtetën e pronave në bregdet.




