Operacioni ‘Toka e Xanun’ në Sarandë fillon nga kati i 5-të pa leje i Aleksandër Lilos

Jugulajm.net
2 Min Read

Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar me zhurmë të madhe nisjen e një operacioni madhor kundër ndërtimeve pa leje dhe zaptimit të hapësirave publike, të quajtur “Toka e Xanunëve”. Një emër epik, që të kujton filma me gladiatorë, por që në realitet përkthehet si: “Zaptuesit do luftohen nga… zaptuesit më të mëdhenj!”

Dhe ku tjetër përveçse në Sarandë, absurdi merr përmasat më komike? Në krye të këtij operacioni në qytetin bregdetar është vënë askush tjetër përveç drejtorit të Policisë Bashkiake, Aleksandër Lilo, një emër që në Sarandë lidhet më shumë me katet pa leje sesa me ligjin.

Po, po, ai është! Ai që ka ndërtuar 4 kate pa leje dhe që tani do shembë “katet pa leje” të të tjerëve. Shqipëria qenka vendi ku ujku emërohet bari, ku hajduti caktohet për të ruajtur arkën, dhe ku Aleksandër Lilo bëhet drejtues i moralit urban.

A e di Edi Rama se Aleksandër Lilo ka ndërtuar katet e veta pa asnjë leje? Apo kjo është pjesë e fabulës groteske ku çdo shkelës i ligjit promovon vetëdijshëm të njëjtin ligj që ka shkelur?

Me sa duket, Lilo nuk është thjesht ndërtues pa leje. Ai është simboli i asaj që qeveria e quan “funksionar i denjë”. Në fakt, ai është kaq i “denjë”, sa mund të japë edhe leksione: Si të ndërtosh 4 kate pa u penguar nga ligji, e pastaj të jesh ti që shemb ndërtimet e të tjerëve!

Në një vend normal, Aleksandër Lilo do të ishte nën hetim. Në Shqipëri, ai është në komandë. Me sa duket, “Toka e Xanunëve” nuk është operacion. Është komedi. Me regji qeveritare dhe aktorë lokalë që vetë i kanë zaptuar tokat, vetë do i “çlirojnë”.

Në fund të ditës, në Sarandë ka vetëm një dilemë: A do ta fillojë Aleksandër Lilo shembjen nga kati i parë i ndërtimit të vet, apo do e kursejë veten për fazën e dytë të operacionit?

Burimi: “In-Front.org”

Share This Article