Kastriot Qendro ose sikurse i thërrasin në fshatin e tij Boçja, është një nga të paktët në Qarkun e Gjirokastrës që i dha fund emigrimit në Greqi për të vazhduar jetën e tij dhe të familjes në vendlindje.
Kastrioti vendosi të rikthehej pas tri dekadave. Kursimet e akumuluara për 30 vite falë punës në emigracion, Boçja vendosi që t’i investonte në agroturizëm në fshatin Dragot Bashkia Tepelenë. Një ndërtesë tërësisht me profile druri dhe me një hapësirë të bollshme ku lulëzojnë të mbjellat stinore. Një gërshetim mes traditës shqiptare dhe modernes për të qenë konkurrent në tregun e sotëm të bujtinave në Qarkun e Gjirokastrës ku në 5 vitet e fundit ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm.
Kastrioti vendosi të kthehej nga emigracioni së bashku me familjen duke i’u futur aventurës më të re të agroturizmit që do të jetë rjedhimisht dhe burimi kryesor i të ardhurave. Ka vetëm tre ditë që ka çelur këtë biznes dhe frytet e punës sikurse thotë, janë të mbara. Gjithçka është në perfeksion sipas tij. Një ndihmesë të madhe ka dhënë pushteti vendor ku i ka ofruar të gjitha lehtësirat e mundshme për të ngritur këtë agroturizëm. Kastrioti apo siç e etiketojnë në fshat Boçja, synon që në agroturizmin e vet të kombinohet kulinaria greke dhe ajo shqiptare e zonës duke qenë unikal në këtë kombinacion të dy kulturave kulinaristike në jug të vendit.
Me mjaft pasion ai fton gjithkënd që të vijë dhe të shijojë natyrën e qetë buzë Vjosës, pastërtinë e ajrit dhe vështrimin nga dy malet që e rrethojnë agroturizmin e tij, Golikun dhe Trebeshinën. Kastrioti guxon t’u bëjë thirrje emigrantëve që të rikthehen në Shqipëri dhe të investojnë kursimet e tyre në vendlindje pasi ky është dhe epilogu i një historie që nisi për shqiptarët në vitet ’90 atëherë kur ishin të uritur.