Një detaj i vetëm, një mesazh i thjeshtë, ka nxjerrë në pah një lidhje direkte midis një politikani, një prokurori dhe një grupi të strukturuar kriminal. Detajet i ka dhënë profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, i cili në një deklaratë televizive ka dhënë hollësi për mënyrën se si operojnë lidhjet midis politikës, drejtësisë dhe botës së krimit.
“Struktura e Posaçme ka ecur, por edhe nëse nuk bën arrestime deri në vjeshtë për nivel politikanësh që janë lidhur me këto banda, do të thotë që nuk ka vajtur aty ku duhet. Nuk po them që dyshoj se këta i mbyllin sytë, e të tjera, por ndoshta nuk janë mbledhur aq prova. Po një provë e kanë, ama – një mesazh që banda ia çon prokurorit dhe njëkohësisht politikanit, dhe i thotë: ‘Shihe pak këtë, ma rregullo këtë shkresën kur të kthehesh përgjigje’. Dhe e rregullon shkresën si prokurori, ashtu edhe politikani, dhe ajo i kthehet mbrapsht bandës.”
Sipas Karamuços, provat janë më se të qarta, por mbetet për t’u parë nëse do të veprohet: “I shkon edhe SPAK-ut, dhe njëkohësisht SPAK-u e merr vesh edhe nga Sky ECC, me foto se si banda ia ka çuar shkresën politikanit dhe prokurorit; e merr vesh sepse i ka ardhur edhe shkresa fizike nga vetë prokurori. Dhe kjo është provë. Nëse nuk arreston për këto prova, për çfarë do arrestosh ti? Po jo bashkëpunim… Po po – anëtar organizate kriminale do ta arrestosh patjetër.
Nëse s’ke kurajë, thuaj që nuk e bëj dot. Ndërro prokurorin. Sepse këto kanë dalë, pavarësisht se mbrohen me ato urdhrat e famshme të gjyqtarëve për ‘urdhër mos publikimi’. Po ne i kemi parë që ka politikanë që janë përfshirë edhe me këto.” Profesori i kriminalistikës ngre një shqetësim të madh për mungesën e goditjes ndaj politikanëve të përfshirë në krim: “Nëse deri në vjeshtë ti s’arreston asnjërin nga këta, do të thotë që ti e ke humbur luftën me nivelin e politikanëve në lidhje me krimin e organizuar. Ke ngelur thjesht te këta policët e thjeshtë, ndonjë rol dytësor, ndonjë biznesmen… dhe vetëm kaq”, theksoi ai.




