Rasti Orgest Lena, Prokuroria e Sarandës në provën e vet më të rëndë

Jugulajm.net
3 Min Read

Në Sarandë, ku çdo sezon turistik fillon me investime dhe mbaron me heshtje mbi krimin, një çështje po e tund besimin e publikut në drejtësinë vendore.
Orgest Lena, 21 vjeç, me precedentë penalë dhe i njohur për përfshirje në aktivitete të paligjshme, është dorëzuar në polici pas disa ditësh në kërkim, i akuzuar për shitje droge ndaj një vajze të mitur 15-vjeçare, e cila përfundoi në spital me komplikacione të rënda shëndetësore pas konsumimit të lëndës narkotike.

Ngjarja është më shumë se një episod penal. Ajo është simptomë e një mekanizmi të njohur ku krimi, pushteti lokal dhe drejtësia bëjnë marrëveshje të heshtura.
Burime të shumta konfirmojnë se Prokuroria e Sarandës po parapërgatitet të kërkojë arrest shtëpie për Lenën, pavarësisht se çështja përmban elementë të një krimi të rëndë ndaj të miturve, të ndëshkueshëm me burgim real.

Kjo është një çarje e thellë mes ligjit dhe zbatuesve të tij.
Sipas Kodit Penal, shitja e drogës ndaj një të mituri është krim i rëndë me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Por në Sarandë, rreziku po relativizohet. Sepse Orgest Lena nuk është një individ i zakonshëm.
Ai ka lidhje familjare me një ish-kryetar bashkie, dhe sipas burimeve të shërbimeve të sigurisë, është pjesë e një rrjeti të strukturuar kriminal që operon në Sarandë dhe rrethina.

Ky rrjet nuk përfshin vetëm trafikantë dhe shpërndarës. Ai përfshin individë me ndikim, me mbështetje politike, financuese dhe lidhje brenda strukturave të drejtësisë.
Kjo është arsyeja pse sot në Sarandë, drejtësia po trajton një të dyshuar për trafik të rrezikshëm të drogës ndaj një të miture, si një rast “të zakonshëm”, të denjë për arrest shtëpie.

Kjo çështje nuk është vetëm për Lenën. Është për mbrojtjen e sistemit që e lejon një 21-vjeçar të kthehet në agjent destabilizues për të rinjtë, i paprekur nga ndëshkimi.
Dhe kur drejtësia e lejon këtë, ajo bëhet palë.

Qytetarët kanë reaguar ashpër. Organizatat, rrjetet sociale dhe mediat lokale kanë ngritur zërin. Por heshtja e institucioneve është më e zhurmshme se çdo protestë.

Prokuroria e Sarandës është sot në provën e saj më të rëndë:

-Do të zbatojë ligjin, siç e kërkon Kodi Penal për raste me të mitur?
-Apo do të bëhet avokati i heshtur i një të dyshuari me mbështetje politike dhe lidhje kriminale?
Nëse arresti në shtëpi miratohet, kjo nuk është më një vendim ligjor.
Është dënim për vajzën që u helmua. Dhe shpërblim për trafikantin që po rrit rrjetin e tij në një qytet ku vera vjen para drejtësisë./Pamfleti

Share This Article