Igli Tare është emëruar drejtor sportiv i AC Milan.
Konfirmimi vjen nga gazetari i njohur italian Matteo Moretto, por edhe medie të tjera sportive në Itali. Tare, ish-drejtor sportiv i Lacios, ka një eksperiencë të pasur në menaxhimin e merkatos dhe përmirësimin e rentabilitetit ekonomik të skuadrave.
Tare ka nënshkruar një marrëveshje 2-vjeçare me opsion për një sezon të tretë me një pagë prej 800 mijë eurosh në vit.
Ky zhvillim ka nxitur reagime pozitive nga tifozët kuqezinj, të cilët shpresojnë se emërimi i Tare do të sjellë një periudhë suksesi për klubin. Me përvojën e tij dhe njohuritë e thella të futbollit italian, Tare pritet të luajë një rol kyç në rikthimin e Milanit në majat e futbollit evropian.
Në ditët në vijim, pritet një njoftim zyrtar nga klubi për të konfirmuar emërimin e Igli Tare si drejtor sportiv i Milanit.




