Mes emocioneve dhe muzikës, mes shumë përmetarëve, miqve, të ftuarve, turistëve kureshtarë dhe me pranimë e pesë fëmijëve të Laver Bariut, mbrëmjen e djeshme në qytetin e Përmetit u organizua ceremonia zyrtare e përurimit të skulpturës së artistit të pavdekshēm, mjeshtrit të klarinetës, Laver Bariu.
Idea e sjelljes së mjeshtrit të muzikês në bronx ka qenë iniciativë vetjake e blogerit dhe gazetarit të famshëm përmetar, Bledi Mane, i cili ka dashur të surprizojë me këtë iniciativë jo vetëm familjarët e Laverit, por mbarë bashkëqytetarët e tij.
Prania e pesë fëmijëve të Laver Bariut në këtë ceremoni ishte një emocion më vete për të pranishmit, ku këta të fundit u kanë shprehur mirënjohje të thellë për këtë trashëgimi që i kanë dhuruar Përmetit dhe Shqipërisë.
Ceremonia e nisur nga qendra e Përmetit, ka qenë e kuruar në çdo detaj edhe nga valltaret e reja e sazet e qytetit, nga ku do mbetet në memorien kolektive të respektimit, që u bëhet artistëve të pavdekshëm përmetarë me përmasa jo vetëm lokale por edhe kombëtare e ndërkombëtare.
Alem Toska, skulptori përmetar që derdhi në bronx Laverin, mes emocionesh shprehet se ideja ka qenë fantastike, ndërkohë që teksa e punonte objektin, dëgjonte në sfond kabatë e Laverit, si një frymëzim për t’a shndërruar atë në një vepër të prekshme.
Përurimi i shtatores së Laver Bariut, çeli zyrtarisht Edicionin I të “Vjosa Art Fest”, duke na kujtuar se arti i vërtetë jeton përgjithmonë në zemrat e njerëzve.