VIDEO/Muzeu i Minierës në Memaliaj mbledh gjithmonë e më shumë turistë të huaj

Jugulajm.net
2 Min Read

Memaliaj është i vetmi qytet në Qarkun e Gjirokastrës, ku turistët numërohen me gishta. Kjo, si pasojë e mungesës së atraksionit turistik, ndonëse shërbimet pritëse për turistët nuk mungojnë.

Por në fakt duke qenë si një zonë e vetmja që ka pasuri nëntokësore, kryessht qymyrguri, ku dikur ka funksionuar minera më e madhe e nxjerrjes së qymyrit, Bashkia e këtij qyteti gjykoi që të  çelte një muze, që do të kontribuonte në rikthimin e kujtesës së qytetarëve të kësaj zone.

Ky muze quhet “Muzeu i Minieres” dhe në të ekspozohen me dhjetëra objekte, të cilat kanë qenë dikur veglat bazike të një minatori sikurse kazma, helmeta, ndriçuesi kokor, apo dhe instrumente të tjera që kanë qenë të zakonshme në pajisjen komplete të një minatori.

Së fundi një grup turistësh nga Zvicra kanë vizituar këtë muze e me këtë rast dhe qytetin e Memaliajt, që është një nga më të shkretët në Qark, për të mos thënë më i shkreti.

Turistët zvicerianë kanë shprehur interes për të parë nga afër instrumentet e një minatori në kohën e komunizmit. Madje jo vetëm kaq, por ata guxonin dhe i preknin këto objekte të lashta për kohën e atëhershme.

Në vlerësimin e tyre ky muze është dëshmi e gjallë e një sistemi të përmbysur por njëkohësisht dhe e funksionimit të një industrie minerare.

Edmondi, përgjegjësi i këtij muzeu, shprehet se turistët kanë nisur vizitat e tyre në muze qysh një muaj më parë dhe vijojnë të vijnë kryesisht grupe nga Polonia, Çekia, Gjermania etj.

Memaliaj ndonëse me këtë pasuri të vetme, që dëshmon kohën e kaluar kur ky qytet numëronte 12 mijë banorë shumica familje minatorësh, sot numëron jo më shumë se 2 mijë të tillë dhe kjo për shkak të mungesës së mundësive për punësim.

Share This Article