Një ditë pas ndarjes nga jeta të aktores së madhe Margarita Xhepa, djali i saj, Ndriçim Xhepa, ka ndarë me publikun dëshirën e fundit të nënës së tij, një dëshirë që lidhej me pasionin që e shoqëroi deri në frymën e fundit: kinemanë.
Gjatë një deklarate për mediat, Ndriçim Xhepa u shpreh se nëna e tij, pavarësisht se në dy muajt e fundit ishte përballur me vështirësi shëndetësore, ruante ende një dëshirë të zjarrtë për të luajtur në një film të fundit.
“Mbylli jetën e saj në mënyrë normale, pavarësisht se dy muajt e fundit kishte probleme shëndetësore, lodhjet e viteve bëjnë të vetën. Kishte një natyrë të çuditshme… Madje kur binte biseda, në momente të shkëputura, kishte vite që thoshte ‘për skenë nuk kam më fuqi’, por për filmin kishte dëshirë të bënte edhe një,” u shpreh ai.
Aktori përmendi gjithashtu filmin e fundit ku Margarita Xhepa interpretoi, “Bolero në vilën e pleqve”, duke theksuar se ky rol simbolik përkoi në mënyrë domethënëse me fundin e jetës së saj artistike dhe njerëzore.
Aktorja e madhe, e cila u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare, mbetet një ikonë e skenës dhe ekranit shqiptar, e dashur për breza të tërë, dhe një figurë që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën kolektive të artit kombëtar.