VIDEO/ Prangoset 16-vjeçari gjirokastrit, tentoi të grabisë pikën e këmbimi valutor në “18 shtatori”

Jugulajm.net
2 Min Read

Policia e Gjirokastrës nê kohë rekord ka vënë në pranga autorin, që tentoi të vjedhë një pikë këmbimi valutor në lagjen “18 Shtatori”.

Bëhet fjalë për një 16 vjeçar i cili kishte përdorur një pistoletë lodër për kryerjen e kësaj grabitjeje.

Pas kontrollit të kamerave dhe veprimeve hetimore, policia identifikoi dhe arrestoi adoleshentin me iniciale J. D., banues në Gjirokastër.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale të Policisë, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i tentativës për vjedhje në një pikë për këmbimin valutor.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale, arma pistoletë e dyshuar lodër, e përdorur gjatë tentativës për vjedhje.

Gjithashtu, sekuestrohen veshjet që ka patur autori, në këtë rast, 3 mjete prerëse (thika), 3900 kartëmonedha dollarë të dyshuara të falsifikuara, 1 peshore elektronike, 1 maskë dhe 1 aparat metalkërkues, që u gjetën në banesën e tij.

Sot, rreth orës 11:45, Policia u njoftua nga pronari i një pike për këmbimin e valutave, se një shtetas kishte tentuar të vidhte një shumë parash aty, duke përdorur një send në dukje armë zjarri. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë organizuar punën për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.

Si rezultat, u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar, 16-vjeçari J. D., banues në Gjirokastër.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, mbetur në tentativë, “Falsifikimi i monedhave” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Share This Article