Policia ka dalë me një komunikatë për mediat në lidhje me “shtëpinë e barit” të zbuluar ditën e djeshme në fshatin Laknas, teksa ka publikuar edhe pamjet.
Më konkretisht, në kuadër të operacionit policor të koduar “Llamba” janë arrestuar shtetasit Shkëlqim Matraxhi, 38 vjeç dhe Fatmir Matraxhi, 28 vjeç. Ata akuzohen se kishin përshtatur një banesë për kultivimin e bimëve narkotike, ku për rritjen e tyre ishin instaluar pajisje ndriçimi dhe ventilimi, ndërsa energjia elektrike merrej në mënyrë të paligjshme.
Gjithashtu, është proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe babai i tyre, shtetasi Z. Matraxhi, 66 vjeç, pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë veprimtari të paligjshme dhe nuk e kishte kallëzuar.
Policia e Tiranës raporton se në vijim të hetimeve, është vënë në pranga edhe punonjësi i OSHEE-së, shtetasi Endrit Paja, 29 vjeç, për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.
“Gjatë kontrollit të banesës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 20 bimë narkotike Cannabis Sativa, rreth 60 cm të larta, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 5 llamba speciale për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra për pastrimin e aromave, 3 ventilatorë freskues, 2 pajisje për matjen dhe rregullimin e temperaturës dhe pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura.” – njofton Policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.