Alushi, 58-vjeçari nga Saranda ka 48-vjet duke vrapuar në maratona

Jugulajm.net
2 Min Read

Alush Çukari nga Saranda është shembulli i asaj se si pasioni nuk duhet kurrsesi të lëshohet, pasi prej afro 5 dekadash i është përkushtuar atletikës.

Ai nuk mundi të bëhej një sportist profesionist, por kurrsesi nuk heq dorë pasi prej 48 vitesh merr pjesë rregullisht në maratonat e vrapit, pasi atletika është pasioni i tij më i madh.

Ai tregon kur e nisi këtë sport, si dhe sfidat që e presin në vijim.

“Ka filluar kur isha nxënës në 8-vjeçare, e kam pasur pasion atletikën dhe aktivitetin e krosit e maratonat. Gjithmonë kam qenë pjesëmarrës. Sporti për mua është shëndet-jetë, kur vrapoj ndihem i lumtur dhe e kam të domosdoshme. E kam ushqim stërvitjen dhe jam i detyruar të vrapoj sa të kem mundësi,” thotë maratonomaku Alush Çukari.

Maratona e fundit për 58-vjeçarin ishte ajo e Napolit për moshat mbi 55 vjeç, ku u rendit i 32-ti nga mbi 6000 vrapues.

“Më 23 shkurt 2025 u zhvillua maratona e Napolit 21 km, për femra dhe meshkuj për çdo moshë. Në këtë maratonë u informova për të marrë pjesë, pasi mbahet vit për vit në Napoli. Shkova me dëshirë dhe me fanellën ‘Sarandë Albania’, duke marrë pjesë dhe zura vendin e 32-të. Ishte një vend nderi për mua,” thotë maratonomaku Alush Çukari.

Alush Çukari nuk ka munguar as në maratonat e zhvilluara në vendin tonë, ndërsa sporti për të është vetë jeta.

“Kam vrapuar 3 maratona individuale nga Saranda në Tiranë me 9 segmente, nga Muzina, Sarandë-Vlorë 5 segmente dhe Sarandë-Përmet. Kam marrë pjesë 3 herë në maratonat e Tiranës, 10 dhe 20 km. E konsideroj sportin ushqim të përditshëm, si ai që hamë. E kam ushqim për shëndetin tim, pasi sporti më mban gjallë. Vrapo, vrapo, rend o maratonomak, rend dhe jeto,” thotë maratonomaku Alush Çukari.

Aktiviteti i radhës zhvillohet në Firence më 6 prill, ku Alush Çukari do të provojë të marrë një tjetër rezultat pozitiv.

Share This Article