Itali, arrestohet shqiptarja 36-vjeçare, u kap me kokainë dhe mijëra euro

Jugulajm.net
2 Min Read

Një 36-vjeçare shqiptare, banuese në Val d’Elsa është arrestuar nga policia e Sienës në Itali, pasi iu gjetën mbi 1.2 kg kokainë, të fshehura në zyrën e saj në provincën e Firences.

Operacioni ishte pjesë e një hetimi nga Skuadra e Sienës për të parandaluar dhe luftuar trafikun e drogës në zonën e Val d’Elsa.

Gruaja e njohur tashmë për lidhjet e saj me persona me precedentë penalë, është vëzhguar dhe ndjekur nga efektivët, të cilët kanë vendosur të kontrollojnë shtëpinë e saj.

Gjatë kontrollit, ndonëse nuk u gjet drogë, efektivët gjetën mbi 16.000 euro para CASH dhe material për paketimin e dozave.

Kjo vërtetoi dyshimet se 36-vjeçarja e fshihte drogën diku tjetër.

Oficerët, falë intuitës që buronte nga vëzhgimet e mëparshme, e shtrinë kërkimin në vendin e punës së gruas, një kompani e vendosur në kufi me Val d’Elsa.

Aty gjetën, të fshehur në sirtarin e tavolinës së saj, një çantë shpine që përmbante afërsisht 1.2 kg kokainë, të ndarë në pjesë të vogla dhe një peshore precize.

Gruaja u arrestua për posedim të drogës dhe me urdhër të prokurorit publik, u dërgua në burgun Sollicciano.

Hetimi është ende në vijim dhe provat e mbledhura do të shqyrtohen nga gjyqtari.

Share This Article