Përmeti duket se nuk njeh diferencë nga sezoni në sezon përsa i përket rrjedhës së akomodimit të turistëve vendas apo të huaj.
Sot në Përmet ndonëse kemi hyrë në muajin e dytë të vitit, shënohet një rritje gati 25% të turistëve vendas dhe të huaj në raport me vitin e kaluar. Sipas drejtorit të Zyrës së Turizmit në këtë bashki Edjon Maliqit, bëhet e ditur se vërrehet një rritje e konsiderueshme edhe e strukturave akomoduese në qytet ku dhjetëra emigrantë që janë larguar vite më parë nga qyteti, banesat e tyre i kanë shndërruar në ambjente pritjeje për turistët.
Shumë prej tyre i kanë shndërruar zonat në ambjente pritëse duke sjellë kështu rritje të vlerës përfituese për vetë qytetin në radhë të parë. Ajo çka konsiderohet risi kohët e fundit, është se Përmeti nuk vizitohet vetëm si qytet, por dhe zonat rurale. Kjo ka nxitur banorët e këtyre zonave që t’i shndërrojnë banesat e tyre në objekte pritëse. Nuk gjen fshat në Përmet që mos të ketë 1 apo 2 bujtina dhe kjo ka krijuar nxitje dhe për banorët e këtyre fshatrave që të shikojnë të ardhmen e tyre në vend dhe jo jashtë tij.
Sipas kalkulimeve të Zyrës së Turizmit në Përmet, në vitin 2024, Përmeti është vizituar nga 110 mijë turistë duke e shndërruar atë në konkurrencë të fortë me Gjirokastrën përsa i përket numrit të shtretërve dhe numrit të turistëve. Ndërsa për çmimet Përmeti është ku e ku më i lirë dhe me shërbim shumë herë më të mirë sesa Gjirokastra.