Shumëkush kur vështron titullin, priret të besojë se peshëngritësi i famshëm nga Himara e ka lënë mendja të konkurrojë në listën e deputetëve të Rilindjes, e ku pa, në Gjirokastër.
Por është një tjetër Piro që ka të njëjtin emer e mbiemër me atë të peshëngritësit të madh me origjinë greke.
Bëhet fjalë për pronarin e një subjekti hotelerik dhe i disa subjekteve të tjera tregtare në Gjirokastër.
Një personazh periferik, i paangazhuar kurrë në politikë, por sponsorizues besnik i PS nëpër fushata zgjedhore.
Gjetja e Piro Dhimës për të qenë në listën e kandidatëve për deputet të PS në Gjirokastër, është e deputetes aktiale, Mirela Kumbaros, e cila e zbuloi atë duke i bërë disa herë reklama veresije në rrjetin e saj social, ku ndjekës ka taborrin e rrogëtarëve rilindas, që detyrohen t’i bëjnë LIKE apo SHARE.
Kumbaro nuk ka rreshtur duke promovuar biznesmenin gjirokastrit si “histori suksesi” në një qytet, ku njerëzit kanë marrë arratinë sikur lebroza të jetë përhapur me shpejtësi “oreshniku”.
Burime te besueshme nga PS Gjirokastër, konfirmojnë për Jugulajm.net se emri i Piro Dhimës është hedhur formalisht në testim tek organizatat socialiste dhe tek e ashtuquajtura shoqëri civile për të marrë një aprovim sadopak minimal. Kjo ka ngjallur pakënaqësi në radhët e shumë socialistëve të ndershëm, të cilët kanë shprehur indinjatë për këto veprime arbitrare të Kumbaros e cila i konsideron socialistët si numërorë dhe jo si vlerë votash.
Vetë socialistët duket se nuk janë dakord me këtë kandidaturë, pasi nuk përfaqëson asgjë veçse hesapit dhe xhepit të tij.
Ditën kur në Katedralen Ortodokse në Gjirokastër u organizua mesha hyjnore për nder të Kryepeshkopit Janullatos, jo rastësisht Piro Dhima është parë në krahë të kryetarit të Bashkisë Gjirokaster, Flamur Golemi dhe Kristinës, ish-nënkryetares së bashkisë e cila ka marrë detyrë prej Golemit të qëndrojë me gojë hapur 24/24h.Jo vetëm kaq, por kryebashkiaku Golemi shpërndau një status të kandidatit në tentativë për deputet, Piro Dhimës, dy foto të Gjirokastrës nën mjegull duke e çmuar “gjetjen artistike” të Dhimës, a thua sikur të ishte fragment i skrepur nga fotografi i madh britanik Fabian Parr.
Mendohet se Piro Dhima do të jetë pjesë e listës së hapur së bashku me Kumbaron dhe një tjetër femër ende e papërcaktuar si emër. Kjo nëse Kumbaro nuk do të çertifikohet si drejtuese e listës, çka e përjashton nga konkurrimi brenda listës së hapur.
Pra me këtë lëvizje Kumbaro plotëson “pazëllin”, që PS në Gjirokastër të zgjedhë një kandidat që të përmbushë kushtet e (pa)vendosura, por që të ruajnë balancën fetare, krahinore e gjinore, pavarësisht se Piro Dhima vjen i katapultuar në PS nga bota e biznesit. Mbetet për t’u parë konkretizimi deri në fund.