Sot në Kosovë është mbajtur seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt, një ngjarje që tronditi opinionin publik në Kosovë dhe Shqipëri.
Tomë Dodaj është dënuar me 5 vite burg dhe 5 mijë euro gjobë, pasi pranoi se i kishte shitur armën me 20 fishekë për 280 euro Naim Murselit, bashkëshortit të viktimës. Dodaj ka pranuar fajësinë para trupit gjykues.
Ndërkohë, Naim Murseli, i cili akuzohet se kishte premtuar 30 mijë euro për vrasjen e bashkëshortes së tij, është deklaruar i pafajshëm, duke refuzuar të pranojë fajësinë. Sipas akt-akuzës, ai e kishte mbajtur me njërën dorë Liridonën për ta penguar të shmangte plumbin.
Autori i vrasjes, Granit Plava, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje, ndërsa i akuzuari tjetër, Kushtrim Kokalla, ka deklaruar se nuk do të prononcohet pa u konsultuar me avokatin e tij.
Sipas akt-akuzës së lexuar në seancën e 31 janarit, Naim Murseli ka pohuar se motivi i vrasjes ishte presioni i lartë nga bashkëshortja dhe xhelozia e saj. Ndërkohë, Granit Plava ka deklaruar se i ishte thënë se viktima ishte një biznesmene serbe, ndërsa Kushtrim Kokalla ka pohuar se Murseli e kishte lutur për një vit që të kryente krimin.
Gjykimi ndaj të akuzuarve pritet të vijojë me dëgjimin e dëshmitarëve dhe shqyrtimin e provave të paraqitura nga Prokuroria.