Një 76-vjeçar ka humbur jetën pasditen e sotme, pasi dyshohet se u përfshi nga flakët teksa po përpiqej të shuante një zjarr në një ullishte në fshatin Greshicë të Mallakastrës. Viktima është identifikuar si Nazif Cenaj.
Sipas të dhënave paraprake, ai ka hyrë në zonën ku kishte rënë zjarri për të ndërhyrë, por nuk ka arritur të largohet në kohë.
Pas ngjarjes, në vendin e incidentit kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse dhe policia, ndërsa vijojnë verifikimet për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.
Cenaj raportohet si viktima e parë e lidhur me zjarret në këtë zonë.
Shkaku i saktë i vdekjes dhe rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja pritet të përcaktohen gjatë hetimeve.




