Një ngjarje e rëndë e cila mund të përfundonte në një tragjedi është mundur të parandalohet nga Policia e Shkodrës. Policia bën me dije se një 29-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë, pasi ka dëmtuar me sende të forta dhe thikë të atin.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/Parandalohet një ngjarje kriminale në familje.
Kapet dhe vihet në pranga një 29-vjeçar që dëmtoi babanë e tij, me sende të forta dhe me mjet prerës.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas njoftimit të marrë se një shtetas, banues në lagjen “10 Korriku”, Shkodër, po dhunonte babanë e tij dhe e kërcënonte atë, për ta vrarë, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë.
Falë veprimeve të shpejta profesionale të shërbimeve të Policisë u bënë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. L., 29 vjeç.
Ky shtetas po dhunonte dhe kishte dëmtuar me mjet prerës, babanë e tij, shtetasin N. L., 61 vjeç, si dhe e kërcënonte atë, për ta vrarë.
Si pasojë e dëmtimeve, 61-vjeçari u dërgua në spital dhe pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, është larguar në banesë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.