I mituri Luis Meçe, i plagosur gjatë sherrit ku u vra me thikë Martin Cani në shkollën Fan Noli në Tiranë, ka dalë nga Spitali Universitar i Traumës, ku po kurohej.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ai u lirua ditën e sotme, pas kontrolleve të fundit mjekësore që konfirmuan stabilizimin e gjendjes së tij.

Sipas Policisë, gjendja e tij shëndetësore tashmë është e qëndrueshme dhe nuk paraqet rrezik për jetën. Ai do të vijojë rikuperimin në shtëpi.

Njoftimi i Policisë:

Pacienti 14-vjeçar i plagosur në shkollën “Fan Noli” del nga spitali pas trajtimit mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës

Pas një periudhe trajtimi të kujdesshëm në spital, 14-vjeçari i cili mbeti i plagosur gjatë një incidenti në ambientet e shkollës “Fan Noli” është liruar ditën e sotme, pas kontrolleve të fundit mjekësore që konfirmuan stabilizimin e gjendjes së tij.

Sipas mjekëve, adoleshenti iu nënshtrua ndërhyrjeve të nevojshme mjekësore menjëherë pas ngjarjes, të cilat kanë rezultuar të suksesshme. “Gjendja e tij tashmë është e qëndrueshme dhe nuk paraqet rrezik për jetën. Pacienti do të vijojë rikuperimin në shtëpi, duke ndjekur këshillat dhe rekomandimet tona,” deklaroi ekipi mjekësor që ndoqi rastin.

Ngjarja e rëndë në shkollën “Fan Noli” ka nxitur diskutime të gjera mbi sigurinë në ambientet shkollore dhe masat që duhen marrë për të parandaluar incidente të tilla. Ministria e Arsimit dhe institucionet e tjera përkatëse janë zotuar për ndërhyrje të menjëhershme për të përmirësuar kushtet e sigurisë dhe për të forcuar masat parandaluese ndaj dhunës në shkolla.

Familja e të miturit ka shprehur falënderime për stafin mjekësor dhe për të gjithë ata që ofruan mbështetje gjatë kësaj periudhe të vështirë. Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit dhe për të marrë masat e nevojshme.