Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me ngjarjen e rëndë e cila i mori jetën 14-vjeçarit Martin Cani.

Fiqiri Meçe, babai i shokut të viktimës, 14-vjeçarit i cili u plagos gjatë konfliktit dhe që momentalisht ndodhet në spital ku po merr ndihmën mjekësore, ka zbuluar se autorë të ngjarjes janë dy, dhe jo vetëm M. P. Ndaj të cilit është marrë masa e sigurisë “Arrest me burg”.

Ai u shpreh se djali i ka rrëfyer gjithçka, ashtu siç ia ka treguar edhe autoriteteve policore, se autori i dytë ka pasur një thikë me të cilën ka goditur, që ka qenë më e vogël se ajo që i mori jetën 14-vjeçarit Cani.

Babai i të plagosurit deklaron se i biri ndodhet në intubim sepse e ka të vështirë të marrë frymë vetë për periudha të gjata kohorë, ndërsa i bën thirrje prindit të autorit të dytë të dorëzojë vetë të birin, ose ndryshe do të bëjë gjithçka publike.

Meçe shton se ka frikën se gjithçka mund të manipulohet.

“Djali nuk është më mirë, por nga reanimacioni ka dalë, por është akoma në stres e në panik, goditjet janë shumë të thella, krahun e majtë pothuajse e ka të paralizuar, po i bëjmë fizioterapi në mënyrë private se nga spitali nuk po na ofrojnë asgjë, as psikolog as fizioterapi. Mjekët na kanë thënë që nuk do ketë ndërhyrje të dytë deri sa të shohin gjendjen në vazhdim. Thika i ka prekur mëlçinë dhe djali është në intubim dhe nuk e dimë se sa do ta zgjasim. Për momentin do ta marrë aty ndihmën mjekësore pastaj kam në plan ta lëviz jashtë sepse nuk e di se sa kohë do të duhet që me pesë plagë në trup të bëhet ai që ka qenë. Ne jemi komshinj me babanë e Martinit dhe fëmijët njiheshin që të vegjël, shokë në ekip. Kur shkonin në ndeshje, gjithmonë i merrja unë te dy, ishin të pandarë, ishin si vëllezër, vishnin rroba njësoj. Kur kishin një debat e kuptoja, se vishnin rroba të ndryshme. Martini vinte rrinte tek shtëpia ime, merrte djalin shkonin tek shtëpia e tij. Bënin edhe not për zgjatje.

Keni folur me djali se çfarë ka ndodhur atë ditë?

Djali është i traumatizuar.

Ditën e premte, Martini i ka thënë L. që ka pasur konflikt tek shkolla që një nga shokët e klasës paralele, kemi bërë fjalë dhe jemi goditur, ka ardhur një më i madh dhe më ka goditur. Martini kishte një shenjë të premten tek buza. I ka thënë që mos i trego prindërve por të hënën të ulemi ta zgjidhim. Nuk e dimë se kush është personi i rritur që e ka goditur dhe nëse ka ndodhur brenda apo jashtë shkollës.

Të dielën i çova në ndeshje, i pashë rrugës që kishte diçka që nuk shkonte, flisnin e përsërisnin, por nuk më treguan. Nuk i pyeta, më konsideronin si shok dhe më tregonin se çfarë problemesh kishin. Isha më shumë shok sesa prind.

Të hënën isha në Peqin, më marrin nga poliklinika dhe më thonë se djali është plagosur me thikë, i dhamë ndihmën e parë dhe po e dërgojmë tek Trauma. Nuk më tha sa goditje ka marrë.

Shkuan djali dhe nusja ime para, takuan babin e Martinit, që i kishin treguar se edhe ai ishte plagosur.

Të dy personat që kanë goditur fëmijët tanë, se nuk është 1, unë i kam me emra. Më vjen keq edhe për ata sepse kanë të njëjtën vuajtje si ne, por duhet të jenë të sinqertë dhe të sillen në mënyrë njerëzore, të dalin dhe të japin një mesazh për njerëzit që të bëhet më e mira, sepse rinia nuk mund të shkojë përpara duke goditur me thikë.

Fëmija mund të dalë fëmija i kujtdo dhe ta bëjë këtë gjest, por prindi duhet të jetë i përgjegjshëm. Përveçse nuk e ka ndaluar, e ka pajisur me thikë fëmijën në shkollë. Djali i ka parë që janë dy veta, personi i parë që e ka goditur djalin me thikë pas shpine është K. B, bashkëmoshatar dhe shok i autorit tjetër.

K. e ka pasur thikën më të vogël, distanca e thikës mund të jetë rreth 10-12 cm. I kam dhënë këto dëshmi te Drejtoria e Policisë. K. e ka goditur i pari në shpatull djalin tim, dhe plaga në shpatull është më shkurtër dhe më e ngushtë se sa plaga që ka marrë në bark.

Herën e dytë e ka goditur ky djali që është kapur Mario Përlleshaj, dy herë dhe në fund pastaj e kanë goditur të dy. Se djali ka ikur i fundit pasi ka parë Martinin të rrëzuar në tokë, e ka ngritur dhe i ka thënë çohu se paskan thikë. Në atë moment iu janë hedhur të dy djalit, K. e ka goditur në krah dhe në ije. Kurse tjetri i ka rënë më thikën e madhe tek gjoksi, djali e ka shtyrë me duar dhe nuk është shumë plagë e madhe. Ai nuk i njihte, vetëm, Martinin viktimë njeh.

Nuk është mirë psikologjisht, ka lodhjen e vet. Na duhet ndihmë nga shteti qoftë një psikolog një fizoterapist për krahun, ndonjë mbështetje për kurim më të mirë. Janë 5 plagë në trup.

Shteti të marrë masa dhe autorët të kapen. Nuk kërkojmë hakmarrje por ata që kanë bërë këtë vepër kriminale të shkojnë aty ku e meritojnë, edhe djali im po të jetë nesër do ta çoj atje të vuajë dënimin.
Atë ditë L. ka shkuar tek shkolla Fan Noli se e ka kërkuar Martini, ka shkuar për një sqarim dhe L. nuk ka shkuar për t’u goditur.
Problemi më i madh është se po e vuan psikologjikisht, do i duhet kohë për tu rikuperuar me krahun, pjesë të trupit, djali është në spital dhe nuk e dimë se në çfarë gjendje do të dalë.
Se di pse po zgjat, autorët do të duhet të ishin të dy para drejtësisë. Nuk është nevoja të vij unë ta them emrin e personin të dytë, policia ka marrë kamerat edhe dëshmitë.
Duhet të kërkojmë sigurinë e fëmijës brenda ambienteve të shkollës, pastaj kërkoni edukim të prindërve. Prindërit t’i mbajnë fëmijët larg veseve të këqija, aktiviziojini në sport, not dhe sa më larg telefonit.
Nuk jam i ngarkuar, jam i qetë si prind, i ngarkuar është fëmija ime. Por të isha i ngarkuar do të kisha marrë veprime të tjera. Nuk janë pagë trupore, por plagë të rënda trupore.
L. ka thirrur atë ditë M. (autorin) dhe Martini, i ka thënë pse jeni zënë, ai ka nxjerrë thikën dhe i ka goditur direkt, Ka qenë i organizuar, ka dalë nga shkolla me thikë, ka kaluar nga trotuari ka goditur fëmijën. Fëmija im ka shkuar për t’i qetësuar.

Fëmija tjetër është pyetur nga policia por nuk është ndaluar. Prindi i fëmijës bën mirë që të shkojë ta dorëzojë vetë fëmijën, bashkë me armën e krimit. Ndryshe do ti bëj publike gjithçka, ai mirë është të shkojë ta dorëzojë, mqs e ka mësuar në atë mënyrë, nuk edukohet fëmija me thikë e kallash.

Sigurisht që ngjarja mund të manipulohet, Shqipëria është vend i çudirave. Nëse nuk do ti mbronin fëmijët do të jepnin një deklaratë për Martin.

Si nga babai i Marios dhe K. nuk kam pasur kërcënime, edhe nëse do ta bëjmë, nuk trembem. Kam punuar me djersë. S’kam pasur presion, djalit i erdhi një inspektor dhe i bëri presion, por e nxora jashtë, Dyshoj se mund të jetë edhe dikush nga këta. Inspektor që merr dëshmi, ky nuk erdhi në prani të psikologut. Djali nuk flet dot sepse i merret fryma dhe ai e ka vendosur në presion. E kam nxjerrë jashtë, nuk pranuam. Nëse do të ishte inspektor, së pari duhet të ishte njeri. Nuk mund të vijë me petkun e inspektorit, dhe ti bësh presion. Shumicën e gjërave i kam zbuluar vetë”, u shpreh ai në një intervistë për Euronews.