Një shqiptar është arrestuar në Republikën Domenikane pasi dyshohet se ka tentuar të trafikojë kokainë.

Drejtoria Kombëtare e Kontrollit të Drogës (DNCD) tha se shqiptari u ndalua pasi një rreze X e bagazhit të tij zbuloi drogën e fshehur brenda çantave.

Me hapjen e valixhes e parë, u gjetën disa veshje dhe një çantë shpine, me 19 pako me kokainë. Nga kontrolli në valixhen e dytë u zbulua një tjetër çantë shpine me 21 pako kokaine.

Prokuroria Publike dhe DNCD kanë nisur një hetim për të përcaktuar, nëse ka persona të tjerë të përfshirë në dërgesën e dështuar të drogës në Madrid të Spanjës, ndërsa 29-vjeçari u dorëzua në polici për ndjekje penale.

DNCD sekuestroi gjithashtu një çantë me 36,100 dollarë pesos domenikane dhe një iPhone që i përkisnin shqiptarit.

Vlen të theksohet se gjatë aksionit të SPAK disa ditë më parë që çoi në sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të kokainës së bashku me laboratorin për nxjerrjen e drogës nga lëkurët e lopëve, kompania “Alb Lëkura” kishte marrë ngarkesat nga Republika Domenikane.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për të njëjtën linjë trafiku.