Kryetari demokrat, Sali Berisha, u bëri një thirrje të veçantë të rinjve nga Libohova. Ai tha se duhet të udhëheqin përpjekjet për ndryshim.
“Ka një kohë për çdo shqiptar që duhet t’i dalë zot vendit. Ne shohim se si po tretemi, po na ikin të rinjtë, po na ikën e ardhmja. Ndaj po e filloj me të rinjtë. Në këtë betejë, ju bëj thirrje të dilni në krye të përpjekjes, qoftë për një fushatë elektorale model, por qoftë edhe për protestat më të fuqishme.
Ne kemi një detyrim të madh ndaj njëri-tjetrit, ndaj vendit, ndaj trashëgimisë tonë atdhetare, të ndalojmë këtë rrokullisje të madhe. Energjia e të rinjve, angazhimi i të rinjve është vendimtar në këtë përpjekje.
Ndaj edhe ftoj Forumin Rinor, të rinjtë e Libohovës, Gjirokastrës dhe Shqipërisë, të bëjnë gjithçka për të bërë Shqipërinë kopshtin e ëndrrave të tyre të ardhme. Duhet të shpëtojnë nga ky regjim.
U bëj thirrje grave dhe vajzave. Dëgjoj me interes shumë të madh zërin e tyre. Të cilat me guxim po denoncojnë në të gjitha takimet, qëndrimet çnjerëzore dhe antishqiptare të kësaj qeverie. Të vazhdojnë sepse zëri i tyre është zëri më bindës në shoqëri. Ata kanë argumente më shumë se kushdo për të bindur qytetarët që nuk janë shkëputur nga apatia, nuk janë shkëputur nga mashtrimi i kësaj qeverie. Kjo është një betejë jetike për të ardhmen tonë.
Ndaj dhe ju ftoj të bëjmë gjithçka për të tërhequr, për të bindur sa më shumë libohovitë, gjirokastrite, shqiptarë, që të mbështesin kauzën tonë të drejtë.
Ne kalojmë në një sistem demokratik, do jeni ju që do votoni kandidatin për kryetar bashkie në Libohovë dhe mbarë Shqipërinë. Fusim pluralitetin dhe do votojë anëtarësia dhe simpatizantët. Përpiquni që të nxirrni qytetarin më të mirë që përfaqëson interesat tuaja dhe ju garantoj se do ketë mbështetjen më të plotë,” tha Berisha.