Disa javë më parë në fshatin e largët të Maliqit, Strelcë, një 70-vjeçar u arrestua me akuzën e ngacmimit seksual ndaj një vajze 10-vjeçare nga po i njëjti fshat.

Iqmet Skënderi është në burgun e Drenovës për këtë akuzë, por sipas tij dhe opinionit të bashkëfshatarëve, kjo akuzë nuk mund të jetë e vërtetë.

Iqmeti, thonë ata që e njohin prej më shumë se 25 vitesh, shet në një dyqan në fshat, ku familja e vajzës së vogël rezulton borxhlie.

“Ai njihet për njeri shumë të mirë, nuk e bën këtë punë. Domethënë ne nuk na i merr mendja që të ketë ndodhur kjo punë.”

“Unë banoj në Tiranë, por kam banuar këtu për 30 vjet. Ai ka 3 vjet që tregton në dyqan, nuk i ka dalë një llaf. Aty shkojnë gra, vajza e të gjitha, tani ky 70 vjet sot të arrijë tek një gocë 10 vjeç mua nuk ma pret mendja. Unë e njoh shumë mirë, nuk e kam as fis e as gjë.”

Ish-prokurori Eugen Beci dhe psikologia Bruna Laboviti shpjegojnë procedurat, që duhet të ndjekë prokuroria dhe policia në të tilla akuza të rënda e delikate.

Eugen Beci: Nuk mundet që autori të jetë shfaqur shenja të tilla në një moshë të thyer, patjetër që duhet të kesh dhe indicie të tjera, po themi nga kronologjia e jetesës së tij, nga informacionet që mund të ketë policia kriminale, qoftë dhe nga opinioni ku jeton për të pasur raste të tilla.

Bruna Laboviti: Duhet parë dhe “background-i” në të cilën këta fëmijë rriten sepse mund të kemi fëmijë që janë në risk vërtet, janë fëmijë të cilët mund të jenë të dhunuar, të keqtrajtuar ose të neglizhuar dhe dashur, padashur mund të futen në vorbullën e të rriturve ose inateve që mund të kenë të rriturit dhe duhet parë e në këtë aspekt.

“Stop” komunikoi me të akuzuarin nga burgu i Drenovës, Iqmet Skënderi, i cili tregon se dy ditë para se të akuzohej, ai pati një konflikt me mamanë e vajzës 10-vjeçare, Marselën pasi kjo e fundit i kërkonte shpesh telefonin, për të denoncuar të shoqin në polici. Atë ditë Iqmeti nuk ia dha telefonin dhe e përzuri nga dyqani. Dy ditë më pas Marsela sajoi historinë e ngacmimit, pasi siç pranon vetë zotëria nuk i shërbeu vajzës. Pas një ore Iqmeti u arrestua.

70-vjeçari i akuzuar: Nuk e di, sa ishte ora, po mbas orës 13:00, erdhi një vajzë e saj, mori ca ushqime aty e iku…Masi ndenja nja çerek ore, 20 minuta-gjysmë ore më erdhi ajo e ëma  dhe më akuzonte mua, sikur i kisha bërë veprime çupës së saj…

Gazetari: Ndërkohë kjo s’është e vërtetë?

70-vjeçari i akuzuar: Po s’është e vërtetë, se po ta kisha bërë, do thosha “e bëra edhe”…

Gazetarja: Por, ti ke pasur një konflikt para dy ditësh me nënën e vajzës, vinte në dyqan ajo, çfarë kërkonte?

70-vjeçari i akuzuar: Ajo vinte aty dhe kërkonte telefonin tim, të fliste me policinë, sepse ziheshe gjithmonë me të shoqin kjo dhe kërkonte të merrte  policinë, dhe pastaj filloi të fliste ca budalliqe, unë do ndahem nga burri, unë pastaj e pështyva dhe ajo pastaj më erdhi më bëri këtë pas dy-tre ditësh… Më morën atje menjëherë në Maliq, më bënë atë denoncimin e asaj. Unë i thashë “s’jam dakord”, e bëra gënjeshtër dhe më sollën avokat aty menjëherë ai shefi, më sollën avokat, unë s’pranova avokat nga Maliqi. Pastaj më dërguan, pasi bënë kartat më dërguan në Korçë në komisariat.

Gazetari: Tani je në burgun e Drenovës?

70-vjeçari i akuzuar: Po, po, në Drenovë.

Psikologia Bruna Laboviti ndër të tjera thotë se për shkak të komunitetit të vogël, 70-vjeçari mund të ishte evidentuar në raste të mëparshme, por në rastet kur mungojnë të dhënat ngjarja bëhet akoma më dyshuese.

Bruna Laboviti: Jetonte në një komunitet të vogël, sepse tani është në burg, që do të thotë se mund të kishim një histori të mëparshme të rasteve të pedofilisë ose mund të ishte një personazh i evidentuar në atë komunitet. Nëse nuk ka të dhëna për këtë, sigurisht që është akoma më dyshuese ngjarja.

Ngjarja është shumë delikate prandaj “Stop” shkoi në shtëpinë e 10-vjeçares për të marrë dëshminë e vajzës dhe të nënës së saj.

Gazetari: Ne erdhëm të pyesim për këtë të Iqmetit …?

Mamaja e vajzës: Tani pse erdhët?…për atë të Iqmetit asgjë s’është …për Iqmetin, asgjë be ti…

Gazetari: Nuk e ka ngacmuar, se gjynah është në burg…?

Mamaja e vajzës: Është po ai nuk i shërbeu be ti… Vajti në dyqan edhe …

Gazetari: Nuk i shërbeu?!

Mamaja e vajzës: Eee

Gazetari: Domethënë, nuk e ka ngacmuar seksualisht?

Mamaja e vajzësËëë…Jo!

Gazetari: Tani, po mos të ketë ndodhur gjë, më mirë ta themi ashtu siç është se është në burg është gjynah…

Mamaja e vajzës: Po mirë mo ti, po denoncimi më thanë tani nuk bëhet gjë.. .për t’u tërhequr, se pyetëm një neve…

Gazetari: Po i shkonte blinte edhe më përpara atje dhe nuk e ngacmonte?

Mamaja e vajzës: Po vinte vetë, asgjë nuk i kishte ashtaaa.

Gazetari: E di si më thotë mua Iqmeti? Iqmeti thotë kështu, që unë jam zënë më Marselën, se më vinte atje, jo telefoni, jo probleme me burrin, jo policia…, nuk e di ça bënte…

Mamaja e vajzës: Jo, jo, jo…!

Gazetari: Se i kishte telefonatat ai atje, kur i ke rënë numrave, i kishte në telefon…i ke rënë ti numrave, se i kishte ai?

Mamaja e vajzës: Ee ashtu vajta një radhë unë, nuk kam leka më thoshte tashi…

Gazetari: Edhe e përzeva më tha, edhe nga inati ma bëri…

Mamaja e vajzës: Le tashi, se më është prishur terezia shumë, më është prishur terezia për këtë muhabet…

Gazetari: Shumë burrë i mirë më duket, nuk e di tashi…

Mamaja e vajzës: Po mirë o, atje ashtu duket ai, po aty s’i shërbeu çupës…

Gazetari: Vetëm që nuk i shërbeu e bërë këtë?!

Mamaja e vajzës: Ee e bëri këtë budallëk, ca të të thuash…

Sipas të dhënave në dosjen hetimore akuza ndaj Iqmetit është vetëm deklarata e vajzës, e cila është marrë pa praninë e psikologes dhe asnjë provë tjetër apo një hetim i thelluar, që do të çonte në zbardhjen e të vërtetës.

Gazetari: Ti kur vajte në polici që bëre denoncimin me Ildën, ishte psikologia?

Mamaja e vajzës: Nuk vajta unë ore, i morëm në telefon neve. Ata erdhën atje, nuk e di ti rrugën…

Gazetari: Tek dyqani i Iqmetit?

Mamaja e vajzës: Vajta unë me katër fëmijët. Jo atje de jo, këtu…

Gazetari: Po se nuk e di rrugën.

Mamaja e vajzës: Tek xhadeja.

Gazetari: Po kush erdhi që të mori në pyetje? Erdhi Bledi?

Mamaja e vajzës: Po erdhi ay i madhi.

Gazetari: Me kë ishte?

Mamaja e vajzës: Me tre të tjerë.

Gazetari: Nuk kishte psikologe?

Mamaja e vajzës: Jo, jo, jo! Atë dite nuk kishte. Foli çupa kshu, kshu. Më pyeti dhe mua për disa gjëra kështu të vogla.

Gazetari: Po çupa çfarë i tha?

Mamaja e vajzës: Ilda tha do bëjmë çmos që të hyjë brenda.

“Stop” pati një komunikim dhe me Bledi Lybeshën.

Gazetari: Për këtë ngjarjen e zotit Iqmet Skënderi që akuzohet që ka ngacmuar një 10-vjeçare seksualisht, ju jeni marrë me gjithë çështjen?

OPGJ, Bledi Lybesha: Po, për disa veprime.

Gazetari: Doja të të pyesja për këtë kur është marrë vajza…

OPGJ, Bledi Lybesha: Jo, dëgjo mua! Pyetjet mund t’i bësh, ku të dush, si të dush! Po unë nuk mund të jap dot informacion.

Gazetari: Jo, jo, për psikologen, jo për hetimin. Pse s’është marrë me psikologe?

OPGJ, Bledi Lybesha: Unë nuk mund të jap asnjë lloj veprimi.

GazetariJo se merret me psikologe fëmija.

OPGJ, Bledi Lybesha: Për psikologen pyet prokuroren, (Klerta Çonga Gjika) që ka dhënë urdhër për veprimet! Hajd mirupafshim…!

Për mikrofonin e emisionit “Stop” psikologia Bruna Laboviti thotë se sipas ligjit marrja në pyetje e të miturve pranë organeve të policisë duhet të jetë me psikolog.

Bruna Laboviti: Duhet të kuptojmë diçka që marrja në pyetje e të miturve pranë organeve të policisë është ligjore dhe taksative që duhet marrë në pyetje nga eksperti psikolog. Lidhur me faktin që mund të ketë mungesa të ekspertëve në zona të ndryshme, komisariate të ndryshme, kjo është prezencë në shoqërinë shqiptare. Domethënë nuk ka ekspertë mjaftueshëm për të mbuluar territorin e Shqipërisë është goxha e vështirë kjo pjesë, por del nul në aspektin ligjor.

Ish-prokurori Eugen Beci shpjegon procedurat, që duhet të ndjekë prokuroria dhe policia në të tilla raste.

Eugen Beci: Duke qenë se janë situata komplekse, situata të cilat nuk i kanë si të themi provat e dukshme, organi i akuzës, prokuroria duhet të tregojë kujdes për mbledhjen e sa më shumë prova në momentin për të caktuar një masë sigurimi konkrete dhe këtu kam parasysh faktin që kemi të bëjmë me deklarime, dhe deklarimet është e vështirë që të provohen me forma të tjera të marrjes së provave. Për këtë arsye duhet të marrësh sa më shumë deklarime, duhet të jesh sa më i saktë në marrjen e alibisë. Alibi e cila duhet të përshtatet me deklarime të të gjithëve, alibi e cila në deklarime duhet të jetë e përputhshme për të krijuar ato indiciet që të mbështesin provën, që është vetëm kallëzimi. E theksoj, vetëm me një kallëzim është e pamundur që të arrish në konkluzionin e pasjes së dyshimeve të arsyeshme për të caktuar një masë sigurimi. Në rastin se personi arrestohet vetëm me kallëzimin e një të miture pa u marrë sipas rregullave të procedurës penale, dosja është shumë e dyshimtë.