Policia e Fierit ka vënë në pranga një 42-vjeçar në Fier. Ai dyshohet se ka tentuar të vriste dy prindërit e tij të moshuar.
Siç njoftojnë uniformat blu, ai i ka vënë zjarrin banesës ku jetonte bashkë me prindërit. Më pas ka mbyllur dyert në mënyrë që ata të mos dilnin nga banesa dhe është larguar.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit A. S., 42 vjeç. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, njoftoi policia.
Fatmirësisht dy të moshuarit janë në gjendje të mirë shëndetësore. Policia, zjarrfikësit dhe fqinjët që shkuan menjëherë sapo u njoftuan për ngjarjen arritën t’i nxirrnin në kohë nga banesa.
Ata e kaluan mbrëmjen e së mërkurës në spitalin e Fierit, ndërsa sipas të dhënave nga fqinjët e tyre, e moshuara ishte prej vitesh e paralizuar.
Mësohet se i pari që ka pikasur çiftin ka qenë Ilir Mehrizvani. Ai ka parë të moshuarin që kërkonte ndihmë në dritare. Menjëherë ka ndërhyrë për t’i shpëtuar edhe pse flakët ishin të forta.
Ai ka pohuar se të moshuarit kanë qenë të traumatizuar dhe thekson se shpëtuan fatmirësisht pasi flakët nuk përfshinë dhomën e gjumit ku ndodhej e shtrirë e moshuara. Në të kundërt, do të flisnim për një bilanc tragjik nga kjo ngjarje.
Ndërkohë raportohet se djali i tyre i arrestuar ka ushtruar edhe më parë dhunë ndaj tyre. Ai vuan nga probleme të shëndetit mendor.