Është 80 vjeç, por mosha nuk e ka penguar të garojë. Halide Bektashi, ka suprizuar me rezultatin e saj në Malin e Zi duke u shpallur kampione Ballkani në garën e vrapit 100 metra pa pengesa.

“Jam nënë e tre fëmijëve. Kam punuar mami në Kolonjë. Pas vdekjes së bashkëshortit më shtyu Rudi që të stërvitesha dhe të bëja garën 100 metra.

Për herë të parë vajta në Korçë, ku fitova vendin e parë dhe mora medalje. Më pas shkuam në Shkodër ku fitova vendin e dytë.

Ndërsa në stadiumin e Malit të Zi, emocionet ishin të mëdha, por i dhashë forcë vetes dhe dola e para në garën 100 metra pa pengesa. Mora medjalje dhe kupë.

U ndjeva krenare sidomos për Shqipërinë. Sa të kem fuqi, do garoj”, shprehet  Halidja.

Prej 3 vitesh stërvitet intensivisht. Vendosmëria dhe regjimi strikt ushqimor e kanë nxjerrë kampione në disa gara.

“Qëkur kam filluar të eci, ndihem më mirë si nga tensioni, dhimbja e kokës dhe e trupit.

Dëshiroj që të gjitha shoqet e mia të dalin dhe të shëtisin, të bëhen dhe ato më mirë si unë. Sporti të forcon fizikisht dhe pskiologjikisht.

Para se të marrim pjesë në gara duhet të stërvitemi shumë dhe të mbajmë regjim ushqimor.

Më mirë është të konsumojmë pas vrapit sepse po të jesh e ngrënë nuk lëviz dot.

Shpresoj që në kampionatet e tjera, të marr pjesë në garën 200 metërsh.

Ka pasur nga ata që më kanë mbështetur dhe më kanë thënë bravo që e ke nisur vrapin, por ka pasur dhe të tjerë që iu është dukur çudi që e kam filluar në këtë moshë.

Unë ndihem shumë mirë për vendimin që kam marrë”, tregon ndër të tjera 80 vjeçarja.