Florenca është një nënë që kërkon të rimarrë kujdestarinë e djalit të saj të mitur. Ajo është divorcuar 5 vite më parë nga bashkëshorti dhe jeton me nënën e saj, Luljetën që e ka thirrur në “Shihemi në Gjyq”.

Sipas deklaratave të Florencës në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ish-burri, Ardiani pretendonte se ajo e kishte tradhtuar me djalin e tezes së tij. Nga ana tjetër, ish-vjehrra e akuzonte se fëmijën e kishte pikërisht me të.

Problemi i parë i Florencës është me nënën sepse Luljeta i thotë se nuk mundet ta përkrahë më. Duke qenë se shkas për njohjen e Florencës me ish-burrin ka qenë tezja e saj, Luljeta nuk dëshiron të ketë  grindje me motrën.

Eni Çobani: Si u njohe me këtë djalë? Kush të njohu me këtë djalë?

Florenca: Nga momenti që isha 17 vjeçe, unë ish-burrin tim  e kam njohur… prandaj e kam thirrur  mamin tim këtu sepse motra jote është bërë shkak që më ka njohur me atë djalë sepse burri i saj e kishte djalin e dajës. Kjo është një arsye më tepër që ajo s’duhet të më fuste në atë familje, kur i njihte,  prandaj unë sot të kam thirrur ty këtu.

Ardit Gjebrea: Pse, çfarë familjeje ishte ajo?

Florenca: Ata ishin një familje që të keqtrajtonin, nuk të respektonin, të mbanin si shërbëtore në atë shtëpi,  jo si një nuse e shtëpisë që ishte djalë i vetëm.

Eni Çobani: 17 vjeçe.

Luljeta: Motra ime nuk i njihte ata.

Florenca: Unë jam drejtuar te  ju znj. Eni sepse  jam e vetme në këtë botë, edhe mami im nuk më përkrah, thotë “jo se nuk  zihem unë me motrën për ty”.

Luljeta: Moj çupë, çfarë të të bëj unë ty? Të kam përkrahur deri tani, s’të përkrah më.

Florenca: “Nuk zihem unë me motrën për ty”, më thotë. Ti duhet të më mbështesësh mua, jo motrën tënde!

Florenca pretendon se është keqtrajtuar në familjen e bashkëshortit. “Unë në atë familje jam keqtrajtuar, jam dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht”, u shpreh ajo duke shtuar se edhe e ka denoncuar ish-burrin, por më vonë e ka tërhequr kallëzimin. Ndër të tjera, Florenca thotë se në një periudhë kur ajo qëndroi 3 muaj e sëmurë në shtrat, ish-burri i ka kërkuar babait të saj që ta marrë në shtëpi.

Florenca: Nga momenti që jam larguar nga ajo shtëpi, kam qenë shumë keq, në gjendje shumë të keqe.  Isha shumë sëmurë, gati 3 muaj nuk jam ngritur nga krevati, isha në gjendje shumë të keqe, më dhimbte koka. Ish-burri im e ka marrë babin tim në telefon, i ka thënë “eja merre vajzën sepse unë nuk e dua më”.  si më do mua ai, vetëm në momentin kur jam mirë? As nuk më çoi në spital, asgjë, veç i tha “eja merre”.

Përveç dhunës nga bashkëshortit, Florenca deklaron se është dhunuar edhe nga ish-vjehrrit, në sy të djalit të saj.

Florenca: Edhe prindërit e tij më kanë rrahur fizikisht, në sy të djalit tim! Ish-vjehrra dhe vjehrri im.

Eni Çobani: Të kanë dhunuar edhe të mëdhenjtë?

Florenca: Po.

Ardit Gjebrea: Po pse?

Florenca: Ka qenë një moment që jemi grindur, kam pasur edhe djalin prezent, ish-burri im nuk ishte,  ishte jashtë shtetit dhe kam bërë konflikt me ta. Unë isha vetëm, më kanë goditur të dy në të njëjtën kohë. I kam denoncuar në polici.

Ardit Gjebrea: Edhe ish-vjehrra,edhe ish-vjehrri, të dy?

Florenca: Po.

Luljeta: Pse nuk na thoshe neve që kështu më trajtojnë?

Florenca: Unë nuk mund të tregoja se nuk doja që ta prishja atë familje, por vetëm sepse erdhi ai moment që më përzuri ai, ai më hodhi mes katër rrugëve.

Ardit Gjebrea: Ju jetonit vetëm për njëfarë kohe në atë familje?

Florenca: Ne jetonim bashkë në një shtëpi por ata thoshin “ju jeni të ndarë”.