Ka ndërruar jetë 63-vjeçari Pal Trashaj, i cili një ditë më parë piu fotoksinë para godinës së SPAK. Burime nga QSUT bënë me dije se ai ndërroi jetë mëngjesin e sotëm.
Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme jashtë Prokurorisë së Posaçme, ku Trashaj ndërmori aktin ekstrem pais ishte viktimë e skemës së mashtrimit financiar me mikrokreditë.
Për këtë reagoi dje edhe SPAK, ku informoi se 63-vjeçari kërkonte takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje, që i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022.
Ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos ardhur për të marrë përgjigje, ndërsa jashtë u panë shërbimet spitalore të urgjencës.
Njoftimi i SPAK dje
Në lidhje me incidentin e sotëm të qytetarit Pal Trashaj të ndodhur jashtë Prokurorisë së Posaçme, institucioni ynë i uron z. Trashaj shërim të shpejtë! Sqarojmë se qytetari në fjalë është paraqitur tek oficeri i informacionit dhe ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022. Më pas oficeri i informacionit ka bërë me dije qytetarin të presë sa të njoftojë hetuesin e çështjes mbi kërkesën e tij. Ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos ardhur për të marrë përgjigje.
Pas disa orësh, jashtë ambienteve të SPAK, janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth veprimit të ndërmarrë nga z. Trashaj.
Institucioni ynë ka bërë menjëherë verifikimet rreth këtij incidenti për të sqaruar çdo veprim të punonjësve të tij.
Prokuroria e Posaçme, garanton se do t’i përgjigjet në kohë çdo qytetari me korrektësi dhe në zbatim të ligjit për çështje që janë në kompetencën e saj.