Burgu i Janinës është përfshirë nga një revoltë e të dënuarve, pasi forcat speciale greke ndërhynë për të kontrolluar një të burgosur shqiptar, i cili dyshohet se drejtonte një aktivitet kriminal nga qelia.
Policia greke kishte 4 muaj që hetonte një grup brenda burgut të Stavrakiout në Janinë, të kontrolluar nga ai që njihej si “Bossi” apo “Shefi” e që nga të dhënat paraprake dyshohet se bëhet fjalë për të dënuarin shqiptar Edmond Përbasha.
Ky i fundit dyshohet se kishte krijuar një rrjet bashkëpunëtorësh brenda dhe jashtë burgut duke arritur të krijonte një linjë të trafikut të lëndëve narkotike.
Forcat speciale EKAM dhe MAT, bashkë me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm kanë ndërhyrë në burg prej orës 06.00 të mëngjesit për të ekzekutuar disa urdhër arreste, por kjo gjë ka sjellë revoltën e të dënuarve.
Të burgosurit nisën menjëherë të djegin dyshekë dhe sende të tjera, dhe u desh ndërhyrja e zjarrfikësve për të vënë situatën në kontroll.