Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj ka reaguar për herë të parë në rrjetet sociale, pas ndeshjes me Italinë, ku shumë njerëz e akuzojnë atë se me uljen e kokës në momentin e goditjes së Barrellas, iu mundësoi kundërshtarëve golin e dytë dhe të avantazhit në këtë takim.
Teksa kërkon falje përpara të gjithë tifozëve dhe shqiptarëve, Hysaj shprehet se ishte një llogaritje gabim e trajektores së topit, ndërsa shton se ai ka dhënë dhe do të japë maksimumin për ngjyrat kuqezi.
Mes rreshtash, mbrojtësi i Lazio falënderon dhe tifozët që e kanë mbështetur, dhe kërkon fokusin të ndeshjet e radhës. Kujtojmë që pas ndeshjes me Italinë, Elseid Hysajt iu desh të mbyllte të gjitha llogaritë në rrjetet sociale, për shkak të sulmit pikërisht për momentin e uljes së kokës në golin e dytë.
“Pas ndeshjes me Italinë dhe evenimenteve të fundit, ndjej t’i kërkoj ndjesë të gjithë tifozëve shqiptar për gabimin teknik dhe instiktiv që shkaktoi golin e dytë që pësuam. Është e tepërt të specifikoj që ishte pikërisht gabim loje dhe vlerësim i rremë i trajektores! Kush më njeh e di mirë që do të jepja çdo forcë që kam dhe do bëja çdo sakrificë për këtë bluzë, siç kam bërë gjithmonë. Më vjen keq për strumentalizimin pa vend nga shumë persona të gabimit përtej vlerësimit teknik. Nga ana tjetër, falënderoj përzemërsisht të gjithë tifozat e panumërt që më kanë dërguar mesazhe konfortimi në forma të ndryshme, i pranoj me vetëdije kritikat dhe keqardhjen e tifozëve ane e mbarë të cilët pa përjashtim i mbaj në zemër. Tani të përqendrohemi të ndeshjet e radhës dhe forca Shqipëri gjithmonë”,-shkruan Hysaj.