Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ftoi të rinjtë e të rejat të afrohen dhe provojnë mundësinë për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, por edhe Administratës Publike, pasi në këtë mënyrë mund të ecin në karrierë, sigurojnë të ardhmen, por edhe të kontribuojnë në mirëqeverisjen e vendit e cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
“Policia e Shtetit ka një rol kyç, sa i përket mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të qytetarëve tanë.
Ne kemi mundësi t’i ofrojmë çdo të riu dhe çdo të reje, përmes pranimit në Akademinë tonë të Sigurisë, jo vetëm arsimin falas, jo vetëm akomodimin falas, jo vetëm ushqimin, por edhe mbështetjen financiare gjatë gjithë periudhës,” – nënvizoi Balla.
Ai foli rreth mundësive që ofron Akademia e Sigurisë.
“Ta konsideroni, vazhdimin e studimeve tuaja, në Akademinë e Sigurisë, i cili si institucion i arsimit të lartë, ofron arsim cilësor dhe mundësi të shumta për zhvillimin tuaj qoftë në aspektin profesional, por edhe në atë personal.
Duke ndjekur këtë rrugë, ju do të keni mundësi të jeni jo vetëm pjesë e organizatës së Policisë së Shtetit, por edhe të ndërtoni një karrierë dhe të ardhme më të mirë tuajën në Shqipëri,” – u shpreh Ministri i Brendshëm, Taulant Balla.