Policia greke është duke zhvilluar një operacion policor pas kapjes së 320 kg kokainë në orët e para të mëngjesit në Portin e Pireut.
Sasia e madhe e drogës është zbuluar në dy konteinerë me karkaleca që vinte nga Amerika Latine dhe kishte destinacion përfundimtar Shqipërinë.
320 kg kokainë janë sekuestruar orët e para të mëngjesit në Portin e Pireut në Greqi, të fshehura në arka me karkaleca.
Sipas Protothema.gr, destinacioni i drogës ishte Shqipëria, ndërkohë që në pranga janë vënë dy shqiptarë dhe dy grekë.
Dy shqiptarët e arrestuar janë identifikuar si Andrea Mërkuri dhe Azdren Muharremi.
Shqiptari me emrin Andrea rezulton biznesmen në Shqipëri, pronar dyqanesh me rroba edhe i një autobusi turistik.
Kontejneri do të nisej për Kroaci fillimisht dhe destinacioni përfundimtar do të ishte Shqipëria.
Një nga dy grekët e arrestuar u arrestua sërish në vitin 2012 në Kosta Rika për transport armësh. Më pas ai u ekstradua në SHBA, ku kreu një dënim me burg pasi kishte një urdhër për ndihmë për një organizatë terroriste në Kolumbi. Sipas informacioneve ai do të transportonte armët dhe në këmbim do të merrte kokainë.
Burime policore thonë se hetimet po vijojnë dhe se po kryhet një operacion, pas informacioneve përkatëse, për gjetjen e 100 kilogramëve të tjerë kokainë.
Në vitin 2017 policia greke zbuloi 635.000 pilula Captagon me vlerë shitje rreth 10 milionë euro si dhe armë. Në operacionin e atëhershëm u arrestuan 2 shqiptarë, një turk dhe një grek dhe u shpallën në kërkim një turk, një ish-polic grek dhe shtetasi shqiptar i cili u arrestua sot për kokainën në Pire.