Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Luton të Anglisë, ku një grua shqiptare është sulmuar brutalisht me thikë pasi la fëmijët në shkollë.
Daily Mail raporton se shqiptarja sapo kishte lënë fëmijët e saj në shkollë rreth orës 08:30 të mëngjesit të sotëm, kur u sulmua nga një burrë në mes të rrugës. Ai e kapi prej fyti dhe i vendosi dorën në gojë që ajo të mos bërtiste.
Më pas, ai nisi ta qëllonte disa herë me thikë duke i shkaktuar plagë të rënda.
Një person është arrestuar nga policia britanike në lidhje me ngjarjen tronditëse dhe dyshohet se është ish-bashkëshorti i saj.
Dëshmitarët thanë se gruaja nisi të thërriste “më ndihmoni, kam gjakderdhje”, pas sulmit brutal. Ajo është transportuar në spital ku ndodhet në gjendje kritike nën kujdesin e mjekëve.
Një dëshmitar tha se e njihte gruan, një shtetase shqiptare e cila kohët e fundit kishte patur gjithnjë e më shumë probleme me ish-bashkëshortin i cili ishte shndërruar në person të dhunshëm.
Policia tha se fëmijët ishin të sigurt në shkollë, duke mos zbuluar emrin, por besohet të jetë “Beech Hill Community Primary”.
Oficerët janë vendosur të qëndrojnë në zonë për t’u siguruar që nuk do të ketë probleme të tjera.
“Policia e Bedfordshire po heton therjen me thikë të një gruaje pranë një shkolle në Dunstable Road, Luton pak pas orës 8:30 të mëngjesit të sotëm. Viktima është dërguar në spital me lëndime të rënda. Një person është arrestuar dhe aktualisht ndodhet në paraburgim nga policia. Të gjithë fëmijët janë të sigurt brenda shkollës dhe nuk ka asnjë kërcënim më të gjerë për publikun. Policia do të mbajë një prani të fortë në zonë për siguri”, u shpreh një zëdhënës i policisë.