Pas përfundimit të Pashkës Ortodokse në vendlindje emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, kanë nisur kthimin për në shtetin fqinj.
Gjatë ditës së hënë në sportelet e daljes në doganën e Kakavijës është regjistruar fluks në rritje i këmbësorëve dhe automjeteve që udhëtojnë në drejtim të Greqisë.
Sipas Policisë Kufitare, janë regjistruar 3902 shtetas në hyrje-dalje, nga të cilët 2162 në hyrje dhe 1740 në dalje, si dhe 1265 mjete në hyrje-dalje, nga të cilat 643 në hyrje dhe 622 në dalje.
Për evitimin e radhëve të pritjes në kufi Policia Kufitare në Kakavije po punon me 4 sportele në hyrje 3 në dalje në bazë të fluksit të lëvizjes në kufi, ndërkohë edhe pala greke po punon me ritme të përshpejtuara.
Fluksi i lëvizjes në doganën e Kakavijës pritet të regjistrohet edhe gjatë ditëve në vazhdim.