Katër punonjës të Bashkisë së Korçës janë pezulluar nga detyra, pasi janë marrë nën hetim për shpërdorim detyre.
Ata akuzohen se kanë llogaritur në mënyrë të paligjshme taksën për ndërtimet dhe komplekset e luksit, duke vendosur në masë më të ulët se sa duhej të paguhej në bazë të ligjit.
Ndaj tyre, me kërkesë të Prokurorisë Korçë është caktuar edhe masa “Detyrim paraqitje”. Konkretisht bëhet fjalë për Zhaneta Lubonja, drejtoresha e urbanistikes, Ermal Gjermani, përgjegjes zyre i planifikimit të territorit, Olvis Petro, specialist buxheti dhe Sonjel Prifti, drejtor i të ardhurave dhe tarifave vendore.
“Personat nën hetim, dyshohet se kanë favorizuar në mënyrë të paligjshme dhe me qëllime përfitimi individual subjekte dhe individë të veçantë, duke llogaritur në mënyrë të paligjshme taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe komplekset e luksit në lagjet 1, 2, 3 11, 12 të qytetit të Korçës në masë më të ulët se sa duhej të paguhej në bazë të ligjit 107/2014, VKM 408, datë 13.05.2018 apo dhe Vendimeve të Këshillit Bashkiak për periudhën 2020-2023, duke shpërdoruar detyrën dhe duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshëm të shtetit,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
NJOFTIMI I PROKURORISE
Me kërkesë të Prokurorisë Korçë caktohet ‘Detyrim paraqitje’ dhe pezullohen nga detyra zyrtarët e Bashkisë, llogaritën në mënyrë të paligjshme taksën për ndërtimet dhe komplekset e luksit. Katër punonjës të Bashkisë Korçë, Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Sektorit të Kontrollit të Zhvillimit të Territorit që merren me shqyrtimin e kërkesave për leje (deklarata, leje zhvillimi, leje ndërtimi, deklarata paraprake, certifikata përdorimi) pranë Bashkisë Korçë, u pezulluan nga detyra dhe ndaj tyre u caktua masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Personat nën hetim, dyshohet se kanë favorizuar në mënyrë të paligjshme dhe me qëllime përfitimi individual subjekte dhe individë të veçantë, duke llogaritur në mënyrë të paligjshme taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe komplekset e luksit në lagjet 1, 2, 3 11, 12 të qytetit të Korçës në masë më të ulët se sa duhej të paguhej në bazë të ligjit 107/2014, VKM 408, datë 13.05.2018 apo dhe Vendimeve të Këshillit Bashkiak për periudhën 2020-2023, duke shpërdoruar detyrën dhe duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshëm të shtetit.
Për rrjedhojë, në datën 09.04.2024, nga ana e Oficerëve të Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, u ekzekutua vendimi nr.106 regj, datë 26.03.2024, i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal: “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a funksioni publik” parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale ndaj shtetasve nën hetim:
1. Zh. L., lindur dhe banues në Korçë, me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Bashkia Korçë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
2. E. G., lindur dhe banues në Korçë, me detyrë e Përgjegjës i Sektorit pranë Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Bashkia Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
3. O. P., lindur dhe banues në Korçë, me detyrë specialist i Buxhetit, si dhe në cilësinë e specialistit të përllogaritjes së taksës së ndikimit të infrastrukturës, Bashkia Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; dhe
4. S. P., lindur dhe banues në Korçë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, Bashkia Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.