Dy persona ndërruan jetë, ndërsa 7 të tjerë, mes të cilëve edhe deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela, mbetën të plagosur si pasojë e një shpërthimi të ndodhur pasditen e së premtes në Lushnjë.
Shkak mendohet të ketë qenë rënia e linjës së tensionit mbi depozitën e gazit duke sjellë dhe shpërthimin e saj.
Dy prej të plagosurve, një 41-vjeçar dhe deputeti socialist u sollën për trajtim më të specializuar në Tiranë, nga ku mëngjesin e së shtunës mësohet se pas ndërhyrjes kirurgjikale, ata ndodhen në gjendje të qëndrueshme, nën monitorimin e mjekëve.
Banorët të tronditur, jashtë kamerave e krahasojnë shpërthimin me ngjarjen e Gërdecit dhe kërkojnë dëmshpërblim nga shteti për pasojat.
“Gjyshi shpëtoi mirë, i ra të fikët, e kapëm i dhamë ujë. Aq jemi trembur!!! Dëmet janë të shumta. Çatia, djalit i ka rënë e gjitha në tokë.
Nuk lejohet të punosh me bombola gazi, jemi familjarë, shtëpi, me 100 mijë lekë pension që nuk na dalin për të ngrënë” tha një grua.
“Në shtëpi është bërë katastrofë. Shteti të vendosë dorë për vlerësimin e dëmeve. Erdha për gjithë natën nga Greqia” tha djali i saj.