Dy vëllezër janë arrestuar në Sarandë pasi akuzohet se përgatisnin dhe shisnin kallëpe tritoli, që më pas përdoreshin nga grupet kriminale.

Në pranga, gjatë operacionit të koduar “Knock Out 5”, përfunduan vëllezërit H. O., 61 vjeç dhe H. O., 56 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 1, Sarandë.

Gjatë kontrollit në banesën e tyre u gjetën dhe sekuestruan 5 kallëpe tritoli (2 prej tyre të programuara për shpërthim në distancë), 7 kapsolla detonatore dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi K. Ç., 26 vjeç, i cili dyshohet si bashkëpunëtor në përgatitjen e lëndës eksplozive.

Nën hetim në gjendje të lirë është vënë 58-vjeçari L. Ç., pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.