Policia ka prangosur 21-vjeçarin Meglind Zeneli, i cili dyshohet se është shkaktari i aksidentit me një viktimë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në aksin “Librazhd-Prrenjas”.
Si pasojë e daljes së mjetit nga rruga, humbi jeten 18-vjeçari Dorian Belba, si dhe mbetën të plagosur shtetasit Gerald Verçani, 19 vjeç dhe Janikos Shyti, 20 vjeç.
Zeneli ka qenë në drejtimin e mjetit që doli nga rruga.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor në aksin “Librazhd-Prrenjas”, ju informojmë se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin M. Z., 21 vjeç, banues në fshatin Qukës, Librazhd, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për këtë shkak automjeti ka dalë nga rruga.
Për pasojë humbi jetën njëri nga pasagjerët e këtij automjeti, shtetasi D. B., si dhe kanë mbetur të dëmtuar 2 pasagjerët e tjerë dhe drejtuesi i automjetit, të cilët janë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.”, thuhet në njoftimin e policisë.