“Erdha të blej dhe ika…”
“Më shtrenjtë më duken këtë vit.”
“Kur filloi rritja që nga buka, çfarë do të presim pastaj?”
Qytetarët po përballen edhe këtë fundvit me fenomenin e rritjes së çmimeve. Sipas një vëzhgimi të bërë nga Tv Klan, rezulton se për dy javë çmimet e perimeve janë rritur me 50-100 Lekë. Një kilogramë domate në datën 12 Dhjetor tregtohej me 150 Lekë, sot ka shkuar në 200 Lekë.
“Specat 100 Lekë më shumë se para dy javesh. Domatja, kungujt, sallata, spinaqi, këto janë më të shtrenjta tani.”
Frutat nuk rezultojnë të kenë pësuar rritje në harkun kohor prej dy javësh. Por në krahasim me vjet, çmimet janë më të larta.
“Në krahasim më vitin e kaluar çdo gjë është më shtrenjtë, këto mollët që sot shiten 130 Lekë, vjet ishin cilësia më e mireë dhe 100 Lekë ishte më e shtrenjta.”
Për Zyrën e Mbrojtjes së Konsumatorit, shkak i rritjes së çmimeve mbetet situata monopol në treg.
“Pikat e shumicës janë ato monopolet dhe biopolet që bëjnë tendencën për të rritur spekulimet në fundvit. Fenomen shumë negativ, autoritetet duhet të identifikojnë këto subjekte, sikurse prodhuesit, edhe tregtarët.”
Ekspertët thonë se abuzuesit me çmimet duhet të ndëshkohen.