I dënuari Arben Lleshi mbeti i vrarë këtë të premte në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

Ai u qëllua me armë zjarri pistoletë, në rrethana ende të paqarta, dyshohet nga i burgosuri tjetër Sokol Mjacaj. Ky i fundit është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në Shkodër në vitin 2015.

Paraprakisht dyshohet se arma e zjarrit është futur me dron në ambientet e burgut, por ende nuk është konfirmuar nga autoritetet.

Të plagosur nga përleshja mbetën edhe 2 të burgosur të tjerë. Nuk dihet nëse i plagosur ka mbetur edhe vetë Sokol Mjacaj.

Ndërsa i burgosuri i tretë i përfshirë në përleshje ka qenë edhe Ilir Xhakja.

Ndërkohë, me anë të një reagimi të shkurtër, Ministria e Drejtësisë tha se ka pasur një përplasje mes tre të dënuarve me burgim të përjetshëm, ku dy prej tyre kanë mbetur të plagosur.

Situata brenda burgut është aktualisht nën kontroll, ndërsa hetimet po ndiqen nga Prokuroria e Elbasanit. Në vendngjarje kanë shkuar edhe Drejtori i Përgjithshem i Burgjeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, forcat RENEA.